Maqedonia e Veriut shënon një kapërcim shifrash të vdekjeve dhe infektimeve nga koronavirusi në 24 orë, çka bën që panorama e pandemisë në vendin fqinj të duket edhe më e zymtë.

Ministria e Shëndetësisë, njoftoi për 21 jetë të humbura dhe 947 raste të reja nga sëmundja. Numri më i madh i viktimave sërish u shënua në Shkup. Mësohet se 19 persona kanë vdekur në ambjentet spitalore, ndërsa dy të tjerë në shtëpitë e tyre. Numri më i madh i të infektuarve vazhdon po kështu të jetë në kryeqytet, gjithsej 453 raste. Situata e rënduar epidemiologjike shtyu autoritetet të shtrëngojnë të mërkurën akoma edhe më shumë masat anticovid, duke e kufizuar lëvizjen e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ka pasur 12 shkelje të orës policore dhe ka paralajmëruar qytetarët për pasoja në rast se nuk respektohen masat në fuqi. Për rritjen e rasteve me COVID-19 opozita maqedonase ka akuzuar qeverinë duke kërkuar përgjegjësi nga Ministri i Shëndetësisë, për “menaxhim të keq të pandemisë, si edhe për dështimin në furnizimin me vaksina”. Për shkak të gjendjes së krijuar kryetari i VMRO-DMNE-së, Hristijan Mickovski përmes një letre publike dërguar përfaqësive diplomatike në Shkup, ka kërkuar shtyrjen për në shtator të regjistrimit të popullsisë, që është parashikuar të ndodhë në muajin prill.

Top Channel