Pas kontrolleve masive në të gjithë vendin nga policia, janë arrestuar 53 shoferë nga të cilët 35 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 18 për drejtim mjeti pa leje drejtimi gjatë 10 ditëve të para të muajit mars

Janë pezulluar 209 leje drejtimi, nga të cilat 144 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 65 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Gjithashtu janë vendosur 13106 gjoba në të gjithë vendin.

Drejtoria e Policisë Rrugore

Kontrolle masive në të gjithë vendin, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “ROADPOL MARS 2021”, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Kontrollet në lëvizje po kryhen nga punonjësit e Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Sektorët e Policisë Rrugore në 12 Drejtoritë Vendore të Policisë, duke përdorur mjetet e pauniformuara, kamera të vendosura në automjete, radarë, alkooltestues dhe dronë, në akset rrugore kombëtare dhe rrugë të tjera të evidentuara si njolla të zeza për shkak të ngjarjeve rrugore me pasoja të ndodhura më parë.   Gjatë 10 ditëve të para të muajit mars, në të gjithë vendin janë konstatuar dhe:  Janë arrestuar në kushtet e flagrancës 53 drejtues mjetesh, nga të cilët 35 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 18 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.  Janë pezulluar 209 leje drejtimi, nga të cilat 144 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 65 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Gjithashtu janë vendosur 13106 masa administrative, të ndara si më poshtë: 2519 masa administrative për parakalime të gabuara. 2050 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit. 468 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara. 537 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit. 244 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse. 3462 masa për parkim dhe qëndrim të gabuar. 3826 masa për shkelje të tjera të përcaktuara në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Zbatimi i planit operacional do të vijojë përgjatë gjithë muajit mars, në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në të gjitha rrugët, sidomos në ato me risk për ngjarje. Apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

Top Channel