Transportonin emigrantë të paligjshëm dhe mbanin armë, kapen dy të rinjtë në Korçë

10/03/2021 13:34
Foto ilustruese

Dy të rinj, të cilët po lëviznin drejt Tiranës me një makinë që kishte pasagjerë emigrantë të paligjshëm janë arrestuar në fshatin Zvezdë të Maliqit.

Njëri prej tyre mbante armë të ftohtë në mjet, ndërsa tjetrit iu gjet në banesë pajisje municionesh pa leje.

Sipas policisë, 20-vjeçarit që drejtonte mjetin i është kërkuar të ndalojë, por  nuk i është bindur. Më pas është ndjekur dhe është kapur bashkë me shtetasin R. Z.

Njoftimi i policisë:

U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, vihen në pranga 2 shtetas. Njëri prej tyre mbante armë të ftohtë në mjet, ndërsa tjetrit iu gjet në banesë pajisje municionesh pa leje.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve G. Z., 20 vjeç dhe R. Z., 23 vjeç, banues në fshatin Barç, Korçë.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se dy shtetas po transportonin me një mjet tip “Benz”, emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kanë organizuar shërbimet dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e mjetit në afërsi të fshatit Zvezdë, Maliq. Drejtuesit të mjetit, shtetasit G. Z. i është bërë me shenjë të ndalonte, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar. Gjatë ndjekjes ai është kapur dhe neutralizuar së bashku me shtetasin R. Z.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u konstatuan dy emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu ishte premtuar kalimi për në vendet e BE-së, si dhe një dorezë metalike pa leje.

Në vijim të veprimeve procedurale, nga këqyrja e telefonit celular të shtetasit G. Z., u gjetën disa pamje filmike ku ky shtetas, së bashku me R. Z., shfaqeshin duke qëlluar në ajër, me armë zjarri tip automatik.

Nga kryerja e kontrolleve të mëtejshme, në banesën e shtetasit R. Z. u gjet një krehër automatiku pa fishekë, ndërsa në vendin ku këta shtetas kishin qëlluar në ajër me armë zjarri, u gjetën gëzhoja, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel