Nacionalizimi i vaksinave/ ‘Po i mbani për vete’, BE nuk pranon akuzat

10/03/2021 03:36

Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel i hodhi poshtë akuzat për “nacionalizëm të vaksinave” të ngritura kundër BE-së, duke thënë se ndërsa Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë aplikuar ndalime të drejtpërdrejta të eksportit të vaksinave, Bashkimi Evropian nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Brukseli është kthyer vazhdimisht së fundi në shenjestrën e verëjtjeve për ritmet shumë më të ngadalta të shpërndarjes së vaksinave se sa në Britani ose në Shtetet e Bashkuara.

Zërat kritikë thonë se ai ka bërë më pak se Kina, Rusia apo India për të furnizuar vendet e varfra me vaksina. Javën e kaluar blloku shkaktoi irritim te blerësit e vaksinave jashtë vendit duke mbështetur një vendim të Italisë për të ndaluar një dërgesë vaksinash në Australi. Britania iu përgjigj shpejt komenteve të Michel, i cili përfaqëson 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke thënë se nuk ka bllokuar eksportin e as edhe një vaksine të vetme.

“Çdo referencë ndaj një ndalimi eksportesh ose ndonjë kufizimi vaksinash nga ana e Britanisë është plotësisht e rreme,” tha një zëdhënësi i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Në një deklaratë të gjatë Michel i doli në mbrojtje strategjisë së bllokut.

Ai argumentoi se pa Europën, nuk do të ishte e mundur të zhvilloheshin dhe prodhoheshin disa vaksina në më pak se një vit dhe se solidariteti i BE-së kishte bërë të mundur që vendet më të varfëra të bllokut të merrnin dozat e para, ndërsa fshikulloi reklamimin e madh që u është bërë siç tha vaksinave nga Kina dhe Rusia, duke shtuar se nuk do të lejojnë të mashtrohen nga dy regjime me vlera më pak të dëshirueshme se ato europiane.

Top Channel