Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite rrëzoi një dron të rebelëve Houthi

09/03/2021 09:57

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen bëri të ditur se ka shkatërruar një dron të ngarkuar me eksploziv që rebelët Houthi e kishin lançuar drejt Arabisë Saudite.

“Forcat e koalicionit arritën të interceptonin dhe të shkatërronin një dron të mbushur me eksploziv pa pilot të nisur nga milicia Houthi drejt zonës Khamis Mushait (në Arabinë Saudite jugore)”, thuhet në një deklaratë të koalicionit.

Grupi rebel Houthi ende nuk ka ndonjë koment mbi deklaratën.

Javën e kaluar, grupi rebel intensifikoi sulmet kundër mbretërisë.

Të dielën, koalicioni tha se kishte rrëzuar 12 dronë dhe 2 raketa të lançuara nga grupi rebel Houthi drejt territoreve Saudite.

Grupi Houthi rregullisht njofton sulme me raketa dhe dronë në territoret saudite, duke thënë se ato janë një reagim ndaj sulmeve të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite ndaj Jemenit.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite që synon rivendosjen e qeverisë së Jemenit ka përkeqësuar situatën, duke shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë me gati 80 për qind ose rreth 30 milionë jemenas që kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare, ndërsa më shumë se 13 milionë prej tyre rrezikojnë të vdesin nga uria.

Top Channel