Kosovë, votat e boshnjakëve/ Anulohen në komunat serbe, më shumë vota se banorë

08/03/2021 21:20

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa anuloi në tërësi votat për subjektet politike boshnjake në komunat e banuara me shumicë serbe, në Zubin Potok, Shtërpc, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot, Novobërdë, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposavic.

Kjo për faktin që besohet se me 14 shkurt në zgjedhjet e përgjithshme serbët e Kosovës në këto komuna në disa prej të cilave nuk jetojnë fare boshnjakë, votuan disa parti boshjake në mënyrë që me pas t’i kontrollojnë vendet e tyre të fituara në parlament të cilat në fakt janë të rezervuara për pakicat jo serbe. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i pranoi ankesat e subjekteve politike Iniciativa Jonë (Nasha Iniciativa), Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Re Demokratike, të cilat kërkuan që të anulohen votat e ardhura nga komuniteti serb në komunat me shumicë serbe për partinë e re Komuniteti i Bashkuar që udhëhiqet nga Adrijana Hoxhiq.

Kësaj partie ju anuluan 4,205 vota që me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve kishte siguruar vende në parlament. 583 vota ju anuluan koalicionit Vakat, ndërsa, Unionit Socialdemokrat të deputetes së disa legjislaturave Duda Baljes, ju anuluan 165. Mbi 800 vota ju anuluan edhe një partie të re rome (Iniciativa Rome) e cila kishte siguruar dy vende në parlament me votat e fituara më ndihmën siç thuhet te Listës Srpska.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që votat e përfshira në fletëvotimet e anuluara t’i largojë nga rezultati përfundimtar”, thuhet në vendimin e PZAP-së. Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 24 orëve në Gjykatën Supreme. PZAP-ja ka konstatuar se votat e  Komunitetit të Bashkuar që udhëhiqet nga Adrijana Hoxhic dhe të koalicionit Vakat, “janë në disproporcion me numrin e banorëve të komunitetit boshnjak të cilët i përkasin, dhe paraqesin vota të pavlefshme, për faktin se është standard jo demokratik, që me votat e votuesve të një komuniteti të sigurohet e drejta e përfaqësimit të një komuniteti tjetër”.

Top Channel