Inflacioni ka shfaqur shenja përmirësimi gjatë shkurtit, pas rënie së thellë që shënoi në janar duke zbritur në 0.4%.
Sipas të dhënave të Instat muajin e kaluar inflacioni arriti në 1.1%, por me gjithë rritjen mbetet sërish në nivele shqetësuese.
Rritjen më të madhe të çmimeve e kanë pësuar produktet ushqimore dhe pijet joalkoolike me rreth 3.2%, ku duket se janë përqendruar tashmë edhe shpenzimet e shqiptarëve.
Përveç ushqimeve, duket se qytetarët kanë orientuar blerjet edhe te mobilet dhe pajisjet për shtëpinë, pasi ky grup shënoi një rritje prej 2.2%.
Nga ana tjetër, shqiptarët po shpenzojnë gjithnjë e më pak për veshje e këpucë pasi edhe gjatë shkurtit çmimet e tyre pësuan rënie, teksa më e madhe kjo rënie me rreth 3.9% ishte te transporti që vijon të jetë një ndër sektorët më të goditur nga kriza.
Për ekspertin e ekonomisë Klodian Muço kjo ecuri e dobët e inflacionit tregon për një tkurrje konsumi, që vjen nga mungesa e të ardhurave dhe pasiguritë e krizës.
“Përderisa nuk kemi një ndryshim, një rritje të çmimeve të këtyre produkteve, nënkupton se kërkesa vijon të jetë anemike. Vazhdojmë të kemi një rritje të dobët të konsumit dhe ekonomia nuk është në nivelet e pritshme. Pandemia ndryshoi edhe sjelljen e konsumatorit, duke i orientuar si ashtu si në 2020 drejt produkteve primare si ushqimet apo produktet farmaceutike. Kjo lidhet me faktin se ose të ardhurat janë të reduktuara ose shqiptarët vazhdojnë të jenë të pasigurt për të ardhmen dhe ndaj nuk po shpenzojnë”, Klodian Muço, ekspert për ekonominë.
Ndihma ndaj bizneseve dhe individëve të prekur më shumë nga kriza shton Muço do të ndihmonte në rigjallërimin e konsumit.
“Sugjeroj mbështetjen e konsumit dhe bizneseve të vogla. Një ndihmë për bizneset përmes kredive apo garancisë për të gjithë ata që kanë nevojë të shtojnë punësimin apo të investojnë.” Klodian Muço, ekspert për ekonominë
Sipas ekspertit Muço, përtej pritshmërive për një përmirësim të situatës, inflacioni pritet të qëndrojë në nivele anemike përgjatë gjithë këtij viti, duke bërë gjithnjë e më të vështirë arritjen e objektivit të bankës qendrore për një normë në 3%.
Top Channel