I dehur në timon/ Arrestohet kandidati i LSI-së në Elbasan, në vitin 2015 përplasi një qytetar për vdekje

08/03/2021 12:26

Kandidati për deputet i LSI për Elbasanin Sokol Skura është arrestuar pak orë para se Kryetarja Monika Kryemadhi të publikonte listën e kandidatëve.

Skura akuzohet për drejtim mjeti në gjendje të dehur ndërsa është arrestuar nga policia në aksin rrugor Elbasan Librazhd gjatë natës së të dielës.

Sipas burimeve nga policia e Elbasanit Sokol Skura, i pesti në listën 15 emërorë të LSI, për Elbasanin, është arrestuar edhe në vitin 2015 pasi në gjendje të dehur përplasi për vdekje një kalimtar.

Kodi penal parashikon dënimin nga 10 ditë deri në 3 vjet burg në rast drejtimi të mjetit në gjendje të dehur.

Do të jetë gjykata që do të vendosë për dënimin e kandidatit të LSI për Elbasanin, por sipas të gjitha gjasave Sokol Skura nuk do të ketë mundësi të zhvillojë fushatën e tij për zgjedhjet e 25 Prillit.

Megjithatë kjo nuk është hera e parë që ia shkakton një aksident në timon në gjendje të dehur edhe më herët në vitin 2015 në gjendje të dehur ka shtypur me makinë një djalë të ri 17-vjeçar në Mengël të Elbasanit.

Sokol Skura i larguar nga Partia Socialiste që në vitin 2015, është akuzuar edhe për korrupsion në skandalin e grabitjes së rreth 500 milionë lekëve nga Fondi i Rimbursimit të Barnave.

Njoftimi i policisë:

Speciaistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan,  arrestuan në flagrancë shtetasin: S.S., 42 vjeç, banues në Librazhd, pasi në aksin rrugor Librazhd-Elbasan,  është kapur  nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan,  për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA