Ekspozitë kushtuar grave/ 100 piktorë e skulptorë nga Shqipëria e Kosova ekspozojnë në Sarandë

08/03/2021 15:39

100 piktorë dhe skulptorë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora po çelin sot në Sarandë ekspozitën “Artistët për gratë” Ky event kushtuar ditës së gruas përkon edhe me 100 vjetorin e bashkisë së Sarandës.

“Fillimisht i gjithë koncepti i këtij aktiviteti ishte të bëheshim bashkë 100 artistë nga të gjitha trevat shqipfolëse për ti thënë njëzëri “Stop dhunës ndaj vajzave dhe grave”,  tha Jona Dividi piktore dhe kuratore e ekspozitës.

Për shkak të pandemisë galeria e artit në Sarandë nuk ka arritur dot ti presë të 100 artistët megjithatë një pjesë e tyre janë prezent sot këtu në Sarandë dhe janë të frymëzuar nga një ngjarje që edhe në kohë normale do të ishte e vështirë për tu organizuar.

“Arti është një mision i madh si për edukimin dhe për pasionin e madh që përcjellin artistet femra”, tha Adriana Puleshi piktore.

“Unë kam sjellë në ekspozitë punën “Gruaja lule”, ashtu i shoh, ashtu janë jo thjesht në raportin primar sesa në shenjtërimin e tyre”,  tha Arif Lushi piktor.

“Jemi të nderuar që ne qytetin e Sarandës ekspozojnë 100 artistë veprat e së cilëve i dedikohen figurës së nënës, së gruas, bashkëudhëtares së jetës”,  tha Lefter Çeko piktor drejtues i galerisë.

Është një qasje shumë pozitive e artit jo vetëm për të fuqizuar gratë por gjithashtu për të sjellë ngjyra, portrete, kompozime në prag të pranverës dhe në prag të një sezoni të ri ku të gjithë besojnë se do të ketë më shumë shpresë dhe më shumë vizitorë.

Top Channel