Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ftoi në një takim të kombinuar, online dhe fizik, rreth 250 mësues me rastin e Ditës së Mësuesit, 7 Marsin.
Në fjalën e saj, Ministrja Kushi shprehu keqardhjen që ky takim nuk mund organizohej ndryshe veç se me pjesëmarrje online. Ajo u shpreh se do të donte që të ishin ballë për ballë, ku të gjithë të mund të shprehnin urimet ballë për ballë, e të shtrëngonin duart e njëri-tjetrit.
“Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që teknologjia na e bën të mundur që ne të jemi me mbi 200 mësues në këtë takim virtual nga të katër anët e vendit” – u shpreh ajo.
“Nuk e shpreh dot me fjalë se sa e privilegjuar ndjehem që jam pjesë e juaja. Është e vështirë që ne të krahasojmë profesionet, por nëse do ta bënim, unë jam e bindur që profesioni i mësuesit do të ishte në majën e piramidës së gjithë profesioneve më fisnike” – tha ministrja.
“Mësuesi përgatit edhe mjekun, mësuesin, politikanin, kryeministrat. Një ditë ata trokasin në derën e mësuesit dhe i urojnë 7 marsin me shumë përulje dhe mirënjohje. Sado të suksesshëm të jenë, ata përballë mësuesit janë ata nxënësit që dikur mund të kenë bërë edhe ndonjë gabim. Ata nuk mund ta fshehin apo mohojnë dashurinë dhe respektin për mësuesit e tyre” – tha Kushi.
“Jemi hidhëruar për çdo mësues të prekur nga COVID-19, e për fat të keq edhe kemi humbur disa. Nga ana tjetër, sa shumë jemi gëzuar për shërimin e mësuesve tanë që janë rikthyer në shkollë pranë nxënësve të tij, me dashuri e me lot në sy. Edhe gjatë kohës që ishin të sëmurë, mendja u rrinte tek nxënësit” – nënvizoi ministrja.
Kushi shtoi se mësimi “online” ishte një përvojë e paprovuar më parë, por të gjithë bashkë, mësuesit, ia dolën të familjarizohen dhe të përshtaten me realitetin e ri.
Duke përmendur disa nga arritjet në arsim, ministrja Kushi nënvizoi rëndësinë e portalit “Mësues për Shqipërinë”, i cili vendosi meritokraci në punësim. “Unë do të luftoj fort që mësuesit të kenë mbështetjen e duhur dhe dinjitetin që meritojnë në shoqërinë tonë” – është shprehur ministrja Kushi.
Top Channel