Agjencia hapësinore japoneze JAXA ka konfirmuar së fundmi zbulimin e dy tipeve të lëndës organike në sipërfaqen e një asteroidi, për herë të parë në historinë e njerëzimit, çka mund të zbulojë sekretet e lindjes së jetës në tokë.
Kërkuesit kryen analiza të shumëfishta të materialeve të marra nga asteroidi Itokawa i kategorisë S (silici ose guri), i cili u vizitua nga sonda e misionit japonez Hayabusa në vitin 2010.
Shkëmbi hapësinor besohet se është një ‘kondrit’, shkëmb hapësinor relativish i pamodifikuar që prej kohëve të hershme të sistemit tonë diellor.
Shkencëtarët e JAXA analizuan një pjesëz 30-mikrometra të gjerë, të mbiquajtur ‘Amazon’, për të zbuluar përbërien e saj kimike dhe përmbajtjen e ujit.
Ata zbuluan prezencë të lëndës organike si në formë primitive (të panxehur) ashtu dhe të procesuar (të nxehur), në një hapësirë prej një të mijtën e centimetrit.
Kjo prezencë tregon se asteroidi i ka përftuar elementët shumë kohë pasi është ftohur, dhe kjo do të thotë se lënda organike e zbuluar ka evoluar me kalimin e kohës, duke tërhequr ujë dhe elementë të tjerë organikë gjatë rrugëtimit të asteroidit në hapësirë.
“Zbulimet janë emocionuese pasi zbulojnë detaje nga historia e asteroidit dhe se si rruga e evoluimit të lëndës është e ngjashme me atë të tokës në epokës para-biotike”, tha studiuesja Queenie Chan e universitetit Royal Holloway në Londër.
Shumica e meteorëve që ndriçojnë qiellin e natës në tokë, janë të kategorisë S dhe zbulimi i fundit i hap rruge mundësisë se goditjet e meteorëve mund të jenë shkaku i lindjes së jetës.
Studimi i rreth 900 pjesëzave të pluhurit nga asteroidi do të krahasohen me materiale të marra nga asteriodi Ryugu, me të cilat shpresohet të kuptohet diçka nga pyetja e madhe e njerëzimit sesi jeta lindi në tokë, apo dhe nëse ka jetë përtej planetit tonë.
Top Channel