Xhaçka me ministren e Jashtme të Bosnjë Hercegovinës: Mes vendeve tona ka një potencial të madh, ende është i pashfrytëzuar

05/03/2021 11:43

Ministrja Xhaçka priti sot zv.kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Bosnjë Hercegovinës, Bisera Turković.

Ajo tha se të dy palët patën “një bisedë mjaft konstruktive mbi axhendën tonë bilaterale, ku ramë dakord që të vijojmë dialogun politik dhe ta intensifikojmë atë duke rritur kontaktet e nivelit të lartë”

“Unë besoj që bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës ka një potencial të madh, që ende është i pashfrytëzuar. Ka shumë hapësirë për të krijuar lidhje ende të pashfrytëzuara ekonomike e tregtare, për të rritur investimet por edhe për të rritur shkëmbimet në përgjithësi mes vendeve e popujve tanë”, tha më tej ministrja.

Deklarata

Ishte një kënaqësi që prita sot në Tiranë, Nënkryetaren e Këshillit të Ministrave dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turković, në vizitën e saj të parë zyrtare në Tiranë.

E dashur Bisera, mirëserdhe dhe më vjen mirë që pavarësisht kufizimeve që ka krijuar pandemia COVID-19, patëm mundësinë të takohemi personalisht.

Ne patëm një bisedë mjaft konstruktive mbi axhendën tonë bilaterale, ku ramë dakord që të vijojmë dialogun politik dhe ta intensifikojmë atë duke rritur kontaktet e nivelit të lartë.

E mirëprita vendimin e Bosnje dhe Hercegovinës për të hapur së afërmi një përfaqësi rezidente në Tiranë dhe ndava me zonjën Turković,dëshirën tonë për të reciprokuar në të ardhmen e afërt.

Jam e bindur që ky veprim do të shërbejë si një hap konkret për të çuar përpara marrëdhëniet tona.

Unë besoj që bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës ka një potencial të madh, që ende është i pashfrytëzuar. Ka shumë hapësirë për të krijuar lidhje ende të pashfrytëzuara ekonomike e tregtare, për të rritur investimet por edhe për të rritur shkëmbimet në përgjithësi mes vendeve e popujve tanë.

Në këtë aspekt, merr shumë rëndësi finalizimi i disa marrëveshjeve dypalëshe që do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve tanë siç është përshembull ajo e lejeve të drejtimit.

Ne ndajmë të njëjtin qëndrim, që komunitetet tona respektive janë një urë lidhëse për të rigjallëruar miqësinë mes dy vendeve, ndaj respektimi dhe integrimi i tyre i mëtejshëm në strukturat social politike duhet të jetë një detyrë për qeveritë tona.

Ky është një moment i rëndësishëm për vendet tona, sa i takon aspiratave të përbashkëta për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Shqipëria gjendet në prag të hapjes së bisedimeve për anëtarësim, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina pret marrjen e statusit kandidat. Por besoj që është koha, që BE të ndërmarrë një qasje më strategjike ndaj rajonit tonë, duke kuptuar fuqinë që ka ëndrra e integrimit Evropian në transformimin dhe zhvillimin e rajonit.

E sigurova ZvKm Turković për qëndrimin e pandryshuar të Shqipërisë, e cila përkrah fuqimisht unitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnje dhe Hercegovinës, procesin e saj të integrimit në NATO dhe BE, duke iu bashkuar përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar në drejtim të nxitjes së reformave të nevojshme politike në vend, për një dinamikë të re në proceset integruese. Qëndrimi ynë është në një linjë me atë të aleatëve tanë, kundër çdo përpjekje për destabilizim dhe retorike separatiste dhe nëmbështetje të zbatimit të Marrëveshjes së Dayton-it.

Ndërkohë që, duke mirëkuptuar specifikat e veçanta të situatës së Bosnje Hercegovinës, i kërkova asaj që të shqyrtojnë mundësinë për të gjetur zgjidhje konkrete për disa nga problematikat që lidhen me Kosovën, siç janë nevoja për njohjen e dokumenteve apo nevoja për lehtësimin e procedurave të vizave. E bindur që nga këto zgjidhje do të përfitojë i gjithë rajoni, por edhe vetë Bosnje Hercegovina duke nxitur shkëmbimet e tregtinë. E po ashtu, ky do të ishte një moment i përshtatshëm për të rivlerёsuar pozicionin e autoriteteve të Bosnje dhe Hercegovinës, mbi çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe përfshirjen e saj në organizatat rajonale, veçanërisht në Kartën e Adriatikut.

Ne ndajmë të njëjtën qasje për nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal, dhe unë besoj që duke punuar ngushtë së bashku do të arrijmë që t’i çojmë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës në një stad tjetër bashkëpunimi e shkëmbimesh.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA