Kryeministri Edi Rama ka folur për procesin e vaksinimit duke paralajmëruar se muajt e pranverës në vendin tonë pritet të nisë vaksinimi masiv kundër koronavirusit.
“E përsëris që pres shumë shpejt lajme të mira, jo nga qielli, as nga bamirësia e pamundur e BE, por nga këmbëngulja dhe angazhimi i pandërprerë si lypës.
Vaksinim masiv do kemi në mars, prill, maj, qershor që do të këpusë zinxhirin e infektimeve dhe do të ndihmojë që të çlirohemi nga barra e madhe e ankthit, e pasigurisë, e merakut për njerëzit tanë më të afërt, për njerëzit tanë më të dashur, për ata që kemi rreth e rrotull”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij në aktivitetin për shëndetësinë, Rama nuk hezitoi të akuzonte opozitën duke thënë se nuk mund të besohen pikërisht në këtë kohë të vështirë të përballjes me armikun e padukshëm. Ndërsa për personat që e kritikojnë se pret vaksinat në Rinas, tha se është e lehtë të përqeshësh, por vaksinimi po vijon edhe për të moshuarit.
“Teste, teste, teste… Gjithçka ka ecur sipas planit. Sot kemi 4 laboratorë, kemi testimin e shpejtë që kryhet në 55 pika testimi. Grupet e terrenit, epidemiologët janë rritur dhe është garantuar që 90% e të dyshuarve arrihen, testohen dhe vendosen në izolim brenda 48 orëve.
Ju kujtoj sot që vaksina është kryefjala dhe e panjohura ende shqetësuese për mua e kësaj faze të luftës është se nga zero vaksina ndaj gripit në 2013, ne kemi vaksinuar falas 368 940 qytetarë në vitin 2020, që do të thotë 4 herë më shumë se në vitin 2018.
Vaksinat që na kanë humbur sot edhe atë kohë të shkurtër gjumi që jemi mësuar të bëjmë, ne investuam menjëherë tek platforma Covax, pritëm që Europa të na jepte mundësinë të fillonim menjëherë vaksinimin me vendet anëtare, pa pretenduar që të trajtoheshim njësoj, por pa imagjinuar që së bashku me rajonin, të liheshim pa asnjë dozë dhe në kushtet kur pritshmëria nga Covax, një pritshmëri pa datë dhe çdo ditë ndjeheshin keq për të gjithë njerëzit tanë që nga televizori ndiqnin fillimin e vaksinimeve në Itali, Greqi, më gjerë që dëgjonin vaksinimin për miqtë, vendosëm të marrim rrugën, të kalojmë oqeanin, të trokasim në derën e Pfizer dhe t’i ulemi në gjunj duke bërë atë që unë e kam bërë, e bëj dhe do ta bëj deri në fund, sa herë që duhen ndihmuar, duhen ngritur në këmbë pas një rrëzimi njerëzit e këtij vendi, duke shtrirë dorën dhe duke lypur.
Arritëm jo të zgjidhim krejt problemin por ta nisim vaksinimin ndryshe nga vendet e tjera në rajon, përveç Serbisë. Vendet e tjera nuk kanë një datë për mbërritjen e vaksinave. Ka qenë një ditë feste, çlirimi, dalje nga barra e ndjenjës së poshtërimit, po kështu një vend tjetër, ndërkohë që Kosova motër sot e gjithë ditën nuk ka ende asnjë dozë brenda kufijve të vet.
Jua kujtoj këto për t’i thënë të gjithë atyre që na përqeshin kur qëndrojmë me ministren e shëndetësisë dhe ministrin e Rindërtimin përballë një kutie, përballë dy apo tre kutish që zbresin nga avioni.
E lehtë të shtrembërosh buzët, të përqeshësh, të japësh këshilla të pa kërkuara por sa e vështirë të sigurosh këtë armë në sasi të atilla që t’i japësh fund kësaj lufte. Sidoqoftë, sot vaksinimi ka nisur edhe për të moshuarit. Sidoqoftë qeveria shqiptare sot ka siguruar dy kontrata, një me Pfizer, një me Covax për 1.6 milionë vaksina në total”, tha Rama.
Top Channel