“Anfield Road” shndërrohet në një tabu për Liverpoolin, që nuk fiton në shtëpi që prej 12 dhjetorit të vitit të kaluar. The reds u mposhtën me rezultatin minimal 0-1 nga Chelsea, duke marrë humbjen e 5-të në 6 ndeshjet e fundit në kampionat, ndërsa Klopp humbi përballjen e parë në Premier League ndaj patriotit të tij, Thomas Tuchel.
Chelsea tregoi që në fillim që kishte shkuar për të marrë pikë në “Anfield Road”, pasi luajti hapur dhe zbriti disa herë rrezikshëm. Në minutën e 24-t ishte sulmuesi gjerman Timo Werner që dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për një pozicion jashtë loje të verifikuar nga VAR.
Megjithatë londinezët vijonin të ishin kërkues dhe arritën të dërgojnë topin në rrjetë në minutën e 42-të me anë të Mason Maunt, i cili mori një top nga Kante, lëvizi bukur në zonë dhe ia doli të mposhtë portierin Alisson Becker.
Edhe pjesa e dytë pati të njëjtën tablo si e para, me Liverpoolin që provoi të hyjë në lojë, por nuk gjente thuajse asnjëherë mundësinë për të kërcënuar kuadratin e portierit londinez Mendy.
Ky i fundit ishte në rolin e një spektatori pa pagesë, pasi gjuajtja e parë në kuadrat i erdhi në minutën e 85-të, pas një tentative të lehtë me kokë nga ana e Firminhos. Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi suksesin minimal të Chelsea-t, që rimerr vendin e katërt, ndërsa Liverpool komplikon arritjen në zonën Champions.
Top Channel