Bashkimi Europian nuk ka interes që ‘status quo’-ja e Kosovës të vazhdojë kështu pafundësisht; ky ishte mesazhi që i dërguari i bllokut europian Miroslav Lajçak i përcolli presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Beograd.

Duket se durimi tashmë po soset dhe blloku kërkon zgjidhje. Dialogu, tha Lajçak në konferencën për shtyp pas takimit me kreun e shtetit serb, duhet të vazhdojë në mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim. Vuçiç qe shprehur se i mbështet aktivitetet, përpjekjet dhe synimet e Lajçakut që “me politikën e kompromisit, të vijmë deri te një zgjidhje, që do të nënkuptonte pakënaqësi ose kënaqësi të pjesshme për të dyja palët – pa ultimatume dhe zgjidhje të imponuara”.

Konsiderojmë se një marrëveshje kompromisi do të thotë: askujt gjithçka, gjithkujt mjaftueshëm. “Pavarësisht deklaratave që vijnë nga Prishtina, të cilat nuk janë inkurajuese, është detyrimi ynë që të jemi të përgjegjshëm dhe të përkushtuar”, tha ai, duke këmbëngulur në të njëjtën kohë se dialogu nuk nënkupton njohjen e Kosovës.

Ai shtoi se Serbia nuk përcakton ndonjë afat për arritjen e një marrëveshjeje kompromisi dhe se do të këmbëngulë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara me Kosovën në Bruksel, përfshirë “Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe gjithçka tjetër që nuk është plotësuar”.

Top Channel