Vizita tre ditore në Kosovë/ Lajçak: Ramë dakord që dialogu Prishtinë-Beograd është i një rëndësie thelbësore për aspiratat europiane

03/03/2021 12:48

Përfaqësuesi i Posaçёm i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka reaguar në Twitter pasi përfundoi vizitën e tij tre-ditore në Kosovë.

“Para se të largohesha nga Prishtina sot, informova Shtetet Anëtare të BE-së për vizitën time. Ne ramë dakord që Dialogu është i një rëndësie thelbësore për aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe BE pret vazhdimin e tij”, shkroi Lajcak.

Gjatё vizitёs sё tij nё Kosovë menjёherё pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Z. Lajçak informoi fituesin e zgjedhjeve, Presidentin e Vetёvendosjes Albin Kurti, në detaje mbi progresin e bërë në Dialogun Prishtinë-Beograd që nga rifillimi i tij në Korrik 2020. Ata diskutuan gjithashtu hapat e ardhshëm përpara.

Në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçёm Lajçak zhvilloi takime me Presidenten nё detyrё Vjosa Osmani, Kryeministrin nё detyrё Avdullah Hoti dhe liderët e partive politike, përfshirë PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe për të theksuar rëndësinë e unitetit në Dialog pёrtej linjave partiake. Ai gjithashtu u takua me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, foli me ambasadorin e SHBA dhe informoi shtetet anëtare të BE-sё mbi bisedat e tij.

Top Channel