Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të sanksionojnë shtatë pjesëtarë të Qeverisë ruse, si përgjigje ndaj helmimit dhe burgosjes së liderit opozitar rus Aleksei Navalny.
Uashingtoni ka thënë më 2 mars se do të vendosë kufizime të eksport ndaj nëntë subjekteve komerciale brenda Rusisë, të cilat janë të përfshira në kërkimet biologjike dhe ato kimike.
Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë gjatë njoftimit, se SHBA-ja ka rënë në përfundim dhe “beson shumë” se zyrtarët rusë kanë qenë mbrapa helmimit të Navalnyt në gusht.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të publikojnë edhe emrat e shtatë individëve më vonë gjatë ditës.
Sipas një zyrtari amerikan, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen në javët në vijim “për një numër të veprimeve destabilizuese” të Rusisë, duke përfshirë hakimet në kompaninë softuerike Solar Winds dhe shpërblimet për vrasjen e amerikanëve në Afganistan.
Navalny 44-vjeçar, udhëheqës i lëvizjes kundër korrupsionit dhe kritiku më i madh i presidentit rus Vladimir Putin, është arrestuar më 17 janar, pasi është kthyer nga Gjermania, ku është trajtuar për pesë muaj nga helmimi me agjent nervor.
Ai beson se urdhri për helmim është dhënë nga Putin.
Autoritetet ruse, në anën tjetër, hedhin poshtë akuzat.
Top Channel