Nigeri, 279 vajzat e liruara nga pengmarrja tregojnë tmerrin e rrëmbimit të armatosur (fotot)

02/03/2021 15:32

Rreth 300 vajzat shkolle të rrëmbyera në Nigeri javës që shkoi, fatmirësisht ishin liruar sot, njoftoi guvernatori Bello Matawalle, pesë ditë pas ngjarjes së rëndë.

Njerëz të armatosur kishin rrëmbyer 317 vajza, disa prej të cilave dhjetë vjeçare, nga shkolla shtetërore e ciklit të ulët në Jangebe.

Matawalle tha se ato do të dërgohen për ekzaminime mjekësore para se të bashkohen me familjet e tyre.

“Alhamdulillah! (Zoti u lavdëroftë) Me zemër të lumtur njoftoj lirimin e vajzave të marra peng nga shkolla në Jangebe, çka erdhi pas kalimit të disa pengesave që ne hasën në përpjekjet tona për arritjen e lirimit. Ftoj të gjithë nigeranët dashamirës të gëzojnë me shpëtimin e bijave tona”, shkroi Matawalle në postimin e tij.

Në kohën e ngjarjes një nga rezidentët tha se sulmuesit goditën dhe një kamp dhe postbllok ushtarak aty pranë.

Një nga vajzat tregonte për natën e rrëmbimit, për rrjetin AP.

“Ne po flinim në konvikt natën, kur papritur dëgjuan të shtënat. Të shtënat ishin pa fund. U ngritëm nga krevatet dhe njerëzit na thanë të vraponim, se ata ishin hajdutë. Të gjithë u larguan dhe në dhomë kishim mbetur vetëm ne të dyja. Sulmuesit mbanin armët te koka e vajzave”, tha dëshmitarja.

Ajo shtoi më tej: “Kisha frikë se mos më qëllonin. Ata në pyetën se ku ndodheshin ambjentet e anëtarëve të stafit të shkollës. Ne thamë se nuk e dinim”.

Prej atëherë policia dhe ushtria kishin kryer operacione të përbashkëta për shpëtimin e vajzave, rrëmbimi i të cilave shkaktoi zemërim ndërkombëtar.

Presidenti Muhammadu Buhari shprehu gëzim të pamasë për lirimin e vajzave.

“I bashkohem familjeve në Zamfara në mirëpritjen dhe festimin e lirimit të nxënëseve të traumatizuara. Burgosja e tyre ishte një agoni jo vetëm për viktimat por dhe për familjet dhe të gjithë ne”.

Presidenti kërkoi më shumë vigjilencë për parandalimin e banditëve në kryerjen e sulmeve të tilla, si dhe nxiti të mos paguhen dëmshpërblime ndaj pengmarrësve pasi kjo vetëm përkeqësonte situatën.

Kushtet e lirimit të nxënëseve nuk janë bërë ende të qarta.

Nigeria ka parë disa pengmarrje të tilla vitet e fundit. Të shtunën, 24 nxënës, gjashtë anëtarë stafi dhe tetë të afërm të tyre u liruan pasi ishin marrë peng më 17 shkurt në shkollën  e mesme shtetërore në Kagara.

FOTO GALERI
2/12

Top Channel