Të ardhurat, rënie edhe në janar/ 7.3 mln euro më pak se e njëjta periudhë e 2020 kur pandemia s’kishte shpërthyer

01/03/2021 19:56

Arka e shtetit vijon të ndjejë presionin e pandemisë pasi të ardhurat kanë ndjekur një trend në rënie edhe gjatë janarit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, muajin e kaluar u arkëtuan 36 miliardë lekë apo rreth 293.7 milionë euro, rreth 900 milionë lekë më pak se janari i 2020-ës, kur pandemia nuk kishte shpërthyer ende në vend.

Referuar të dhënave, zëri më tkurrjen më të fortë të të ardhurave është tatimi mbi fitimin, me rreth 700 milionë lekë më pak se janari i kaluar, çka reflekton edhe situatën e vështirë në të cilën po kalojnë bizneset.

Rënie të lehtë kanë shënuar edhe arkëtimet nga TVSH-ja që arritën në 11.2 miliardë lekë në fund të janarit.
Më pak para janë mbledhur edhe nga taksat mbi punën, tatimi mbi të ardhurat personale dhe sigurimet shoqërore që u tkurrën përkatësisht me rreth 100 milionë lekë në janar, një rënie e moderuar në krahasim më muajt paraardhës duke reflektuar një situatë të përmirësuar të punësimit këtë fillim viti.

Ndërkaq, janari duket se ka rezultuar pozitiv për të ardhurat e pushtetit vendor pasi kanë arritur të arkëtojnë më shumë para se një vit më para, kryesisht nga taksa e pronës.

Të njëjtin trend rënës kanë ndjekur edhe shpenzimet, pasi në janar janë alokuar 31.4 miliardë lekë, apo rreth 1.1 miliardë më pak se në janarin e shkuar, ku rënia më e madhe është konstatuar në pagesat e ndihmës ekonomike me thuajse një përgjysmim të tyre në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-ës si dhe ato operative.

Ndërsa shpenzimet kapitale nga ana tjetër janë rritur ndjeshëm duke arritur në 963 milionë lekë, rreth 397 milionë lekë më shumë se janari i kaluar.

Top Channel