Porti i ëndrrave të emigrantëve/ Stacioni drejt një jete më të mirë për klandestinët nga Lindja e Mesme

01/03/2021 12:09

Porti i Durrësit është kthyer në një nga pikat kryesore ku emigrantët nga lindja e mesme dhe vendet arabe, përpiqen ta përdorin për të shkuar drejt Italisë.

Ata tentojnë të kalojnë nëpërmjet këtyre hekurave, për të hipur nëpër tragete, për të shkuar në vendin fqinj. Por janë të paktë ata të cilët munden t’ia dalin. Ne sonte patëm mundësinë të komunikonim me dy prej emigrantëve, nga Libia dhe nga Maroku, të cilët nuk mundën dot të hipnin në traget.

-Çfarë po bëni këtu në Shqipëri?

“Unë dua të shkoj drejt Italisë. Dua të shkoj atje sepse di që paguhet 15 euro ora dhe jetesa është shumë e mirë. Unë quhem Ahmid Ajub dhe jam nga Libia. Kam tentuar disa herë që të kaloj në portin e Durrësit, por ka qenë e pamundur.Rojet e sigurisë nuk të lënë. Ata kanë punën e tyre, dhe përpiqen ta mbajnë atë, prandaj nuk më lënë mua”.

– Ku qëndroni në Durrës, dhe me çfarë parash mbijetoni?

“ Unë qëndroj në hotel. Babai im më nis shpesh para me transferta. Kjo është mënyra sesi unë jetoj. Kam 9 muaj që jam në Shqipëri. kam ardhur nga Turqia, Greqia dhe më pas në këmbë në Shqipëri. Më shiko pak mua si i kam duart. I kam kështu sepse përpiqem çdo javë që të kaloj nëpërmjet hekurave për të hipur në traget po ka qenë e pamundur”.

Ahmid ka mësuar edhe pak shqip, për të kërkuar para kur nuk mundet që të sigurojë ushqimin dhe fjetjen.

“O burri, o xhaxhi, o shoku im, mi fal 1 mijë lek.  Nuk kam shtëpi, nuk kam lek, nuk kam bukë. Burrat shqiptarë, japin, nga dy mijë lek, tre mijë lek”.

Mustafa Fele, është një tjetër i ri nga Maroku që kërkon të shkoj drejt Italisë, atje ku jetojnë dy motrat e tij.

– Mustafa, a keni provuar që të  shkoni drejt Italisë nëpërmjet portit të Durrësit?

“ Kam provuar, por ka qenë e pamundur”.

– Çdo ditë provoni që të kaloni?

“ Jo çdo ditë. E provojmë rreth tre katër herë në javë, se më pas nuk kemi më fuqi. Na duhet të mbledhim forcat”.

Top Channel