Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, nis sot vizitën në Kosovë ku pritet të qëndrojë deri në 3 mars.

Pas Prishtinës, ai do të ndalojë për një ditë në Beograd e pas kësaj në axhendë ka dhe një vizitë në Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal.

Zyrtari i lartë europian pritet të takohet gjatë këtyre tre ditëve të ndalesës së tij në Kosovë me zyrtarë të lartë shtetërorë e politikë, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Europian në terren. BE, në reagimet e para pas zgjedhjeve në Kosovë në 14 shkurt, ka bërë thirrje që autoritetet e reja të cilat do të dalin nga këto zgjedhje të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë.

Fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndonëse nuk e ka caktuar si prioritet dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, thotë se ai duhet të ketë qasje të re.

Në këtë qasje, ndër të tjera kërkohet edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara te Amerikës. Vetëvendosja në vazhdimësi e ka cilësuar dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli si jotransparent dhe i ka cilësuar si të dështuara shumicën e 33 marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti e ka cilësuar dialogun si ‘prioritetin e gjashtë apo të shtatë’, e kjo nuk është pritur mirë nga Brukseli nën ndërmjetësimin e të cilit ky process ka nisur që në vitin 2011, pa arritur të prodhojë rezultate të prekshme.

Top Channel