Gruaja e djegur në sulm nga ish-bashkëshorti, transformohet me transplantin e dytë të fytyrës (fotot)

01/03/2021 20:50

Carmen Tarleton, e cila kishte mbetur e shpërfytyruar pas një sulmi mizor nga ish-bashkëshorti i saj, është bërë personi i parë në botë që kryen dy transplante të fytyrës.

E mbijetuara e dhunës shtëpiake thotë se është “shumë e lumtur” me pamjen e re, pas problemeve që hasi pas transplantit të parë.

Në 2007, Carmen Tarleton pësoi djegie të tmerrshme kur ish-bashkëshorti i saj mizor e goditi me një shkop bejsbolli dhe i hodhi kimikate gërryese në fytyrë.

Ai e sulmoi me sode kaustike, lëndën që përdoret për zhbllokimin e tubave dhe dezinfektimin e tualeteve, e cila e verboi atë në njërin sy dhe la të shpërfytyruar rëndë.

Ish-infermierja që jeton në Vermont të SHBA, thotë se ka kryer një transplant të fytyrës në 2013 i cili zgjati për shtatë vjet, kur trupi i saj nisi ta refuzonte dhe “u rikthye në gjendjen e shpërfytyruar”.

Pas më shumë se 70 kirurgjive rikonstruktive, Carmen-it iu ofrua një transplant i dytë.

Një grup prej 40 mjekësh punuan për 20 orë në kompletimin e kirurgjisë së komplikuar në spitalin e grave në Boston.

Kirurgu plastik Dr Bohdan Pomahac, i cili trajton Carmen prej më shumë se 10 vjetësh, shqetësohej se trupi i saj mund të refuzonte edhe fytyrën e dytë.

Ai tha në një intervistë: “Është gjithmonë e komplikuar. Herën e dytë besoj se ishte më e vështirë pasi kishim shumë të panjohura. Ishim shumë me fat që rastësisht gjetën një donator që kishte karakteristika trupore të ngjashme me Carmen, sikur të kishte qenë me lidhje fisnore me të”.

Donatorja e fytyrës ishte nëna e një fëmijë Casey Harrington Labrie, e cila vdiq nga një mbidozë e drogës fentanil në moshën 36 vjeçare, pas një beteje të gjatë me varësinë ndaj saj.

Carmen falenderoi familjen e Casey për atë që quante “dhuratën më të madhe që dikush mund t’i kishte dhënë” dhe thotë se është “shumë e lumtur” me fytyrën e re.

Gruaja tha: “Kjo është fytyra ime, këtë ma dhanë. Nuk është fytyra me të cilën kam lindur por është e imja. Sa herë shihem në pasqyrë mendoj për Casey.”

Gruaja shton se është e emocionuar të shohë se “çfarë do të më sjellë jeta” dhe se nuk dëshiron të “fokusohet në gjëra negative”.

Herbert Rodgers, autori i sulmit çnjerëor ndaj Carmen, vdiq në burg në 2017 pasi ishte dënuar me të paktën 30 vjet.

Këtë muaj në Britani, një burrë që është verbuar nga sulmi me acid sulfurik i ish-të dashurës, tha se ka ende pagjumësi dhe makthe për episodin.

35 vjeçari Daniel Rotariu ishte duke fjetur, kur Katie Leong i hodhi acid në fytyrë në krevat, natën e korrikut 2016 në Leicester.

Ai kujton se kishte debatuar me Leong, dhe më pas kishte shkuar të flinte, para se të zgjohej nga dhimbjet e pamendueshme.

Ai tregon për Nottingham Post: “Ishin rreth 10-20 sekonda, në atë moment besoja se isha në ëndërr derisa dhimbja nisi të bëhej reale. Mendova ‘Çfarë po ndodh kështu? Çfarë është kjo dhembje?’”.

Leong u arrestua dhe u shpall faktore për tentativë vrasjeje. Ajo u burgos përjetë, me një minimum prej 17 vjetësh prapa hekurave.

FOTO GALERI
1/7
Carmen duke perqafuar kirurgun e saj

Top Channel