Çekia nën kufizime më të ashpra/Policia e ushtria kontrolle për respektimin e masave

01/03/2021 20:35

Policia dhe ushtria në Republikën Çeke kanë ngritur rreth 500 postblloqe, për të kontrolluar respektimin e masave kundër përhapjes së koronavirusit.

Rreth 30,000 oficerë janë përfshirë në operacion. Në Ceki, nga e hëna hynë në fuqi masa më të ashpra kundër koronavirusit, që i ndalojnë njerëzit të lëvizin në qarqe të tjera, nëse nuk shkojnë në punë ose nuk duhet të kujdesen për të afërmit. Kryeministri Andrej Babis ka thënë se qëllimi i masave është të parandalohet kolapsi i kapaciteteve spitalore.

Çekia, vend me 10.7 milionë banorë, ka konfirmuar gjithsej 1.2 milion raste me koronavirus dhe 20,469 viktima. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mesatarja shtatëditore e rasteve në Çeki është rritur nga 70.75 në 100,000 banorë – sa ka qenë më 14 shkurt – në 109.82 më 28 shkurt. Nga sot, Çekia ka mbyllur edhe çerdhet dhe shkollat për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërsa kanë mbetur hapur vetëm dyqanet që shesin mallra thelbësore.

Ekspertët, megjithatë, kanë paralajmëruar se masat nuk shkojnë aq larg sa për të ndaluar virusin. “Konsideroj se masat më të rëndësishme nuk po zbatohen. Kjo do të thotë kufizimi i kontakteve në punë, veçanërisht në industri”, ka thënë biokimisti Jan Trnka për Radion Publike Çeke. Vetëm sot, Qeveria çeke ka filluar të kërkojë testime masive të punonjësve mbi baza vullnetare. Kjo pritet të bëhet e detyrueshme të premten në kompanitë me më shumë se 250 punëtorë.

Në Republikën Çeke janë dhënë deri më tash mbi 650,000 vaksina. Babis ka thënë se mbi një milion vaksina pritet të arrijnë përmes një programi të Bashkimit Evropian në mars dhe 2.6 milionë të tjera në prill.

 

Top Channel