Një statujë të artë për Trump/ Aleatët e ish presidentit tregojnë besnikërinë

27/02/2021 17:03

Aleatët konservatorë të Donald Trumpit i thurën lavde ish presidenti në mbledhjen e tyre vjetore, ku zbuluan madje dhe një statujë të artë kushtuar atij, për të treguar në këtë mënyrë se republikani i zhurmshëm mbetet një forcë politike e kësaj partie, pavarësisht skenave të dhunshme në kongresin amerikan.

Konservatorë të njohur, si senatorët Tom Cotton dhe Josh Hawley dhe Ligjvënësit Steve Scalise dhe Matt Gaetz – ishin mes besnikëve të Presidentit Trump që folën në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Orlando të Floridas, por mbi të gjithë spikati Ted Cruz.

“Demokratët në Kongres hedhin sytë nga Donald Trumpi dhe shohin miliona e miliona njerëz të frymëzuar që shkuan në betejë përkrah tij dhe janë të tmerruar. Ndaj duan që ai të largohet. Por lermeni t’ju them diçka tani në këtë moment, se Donald Trump nuk do të shkojë gjëkundi”, shprehet Ted Cruz.

Në rastin se do të kishte ndonjë dyshim se CPAC i këtij viti i ishte kushtuar zotit Trump, statuja e ish-presidentit, e veshur me një xhaketë blu, kravatë të kuqe dhe pantallona boksi ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe blu, ishte shfaqur në vendin e konferencës, thotë VOA.

Shumë republikanë mendojnë se ish-Presidenti do të flirtojë me një tjetër shfaqje të shpejtë në fushën e kandidatëve për vitin 2024, por besojnë se ai në fund të fundit do të zgjedhë të mos kandidojë. Vetë ish-Presidenti Trump u ka rrëfyer privatisht këshilltarëve se ai do të donte të kandidonte.

Top Channel