Irani për sulmet e SHBA-së: Po e inkurajoni vetë terrorizmin

27/02/2021 16:01

Sulmet ajrore amerikane kundër milicive të mbështetura nga Irani në lindje të Sirisë, do të inkurajojnë terrorizmin në rajon deklaroi një zyrtar i lartë i sigurisë në Teheran.

Washingtoni njoftoi se ka kryer sulme ajrore ndaj pozicioneve të milicive pro-iraniane në Sirinë lindore, në afërsi të kufirit me Irakun, në përgjigje të sulmeve me raketa kundër caqeve amerikane në Irak.

“Veprimet e fundit të Amerikës forcojnë dhe zgjerojnë aktivitetet e Shtetit Islamik në rajon”, deklaroi Ali Shamkhani, anëtar i Këshillit Suprem të Iranit.Ai këto komente i bëri gjatë takimit në Iran me ministrin e Jashtëm irakian, Faud Hussein.

“Sulmi ndaj forcave rezistencës kundër terroristëve është fillimi i një raundi të ri të terrorizmit të organizuar”, citohet të ketë thënë ai sipas Reuters. Zyrtarët e milicisë irakiane thanë se nga këto sulme mbeti i vrarë një luftëtar dhe u plagosën katër të tjerë. Administrata Biden e ka bërë të qartë se do të veprojë në mënyrë që të shmanget një përshkallëzim i madh i situatës në këtë rajon.

Shamkhani tha se “ne do ta konfrontojmë planin e SHBA-së për të ringjallur terrorizmin në rajon”, por nuk dha detaje të tjera. Zyrtarët perëndimorë dhe disa udhëheqës irakianë kanë fajësuar grupet e mbështetura nga Irani, se janë përfshirë në sulmet vdekjeprurëse me raketa mbi objektivat amerikane në Irak gjatë këtij muaji.

Top Channel