Euro 2022 / Resuli zbardh listën për dy ndeshjet me Danimarkën

27/02/2021 14:37

Kombëtarja shqiptare e Futsal do të nisë sot përgatitjet për dy ndeshjet e radhës ndaj Danimarkës, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian 2022.

Trajneri Erind Resuli ka shpallur sot listën me 15 lojtarët e grumbulluar për këto dy sfida, ndërkohë që bie në sy rikthimi i disa lojtarëve si Roald Halimi, Narcis Alibegu, Ylber Alili dhe Alban Shiba, të cilët munguan në ndeshjet e para të luajtura në janar.

Duke folur para ndeshjes së parë ndaj Danimarkës, që luhet ditën e mërkurë (datë 3 mars 2021) në ora 19:00 në Parkun Olimpik të Tiranës, trajneri i kuqezinjve shprehet optimist për rezultatin dhe shpreson që falë rikthimeve ekipi të ketë një marsh më shumë në këtë sfidë.

“Sigurisht që është një sfidë e vështirë, pasi do të përballemi me Danimarkën, që është një skuadër e fortë dhe kundërshtari për t’u mundur në Grupin 1, pasi rivalet e tjera Ukraina dhe Kroacia janë ndër më të fortat në Europë. Nisim këtë grumbullim me 2 rikthime të rëndësishme në ekip, po sërish kemi mungesa. Shpresoj që këtë herë të mos kemi probleme me testet Covid, pasi në janar u penalizuam fort nga mungesat. Pandemia vazhdon të ketë ndikim të fortë në përgatitjet, sidomos në planin fizik duke ditur që disa kampionate siç është dhe ai i Kosovës janë të ndërprerë që në mes të dhjetorit. E kundërta ndodh në Danimarkë, që vazhdon në kampionat të rregullt dhe i ka te gjithë lojtarët aty. Shpresoj që kjo të mos na dëmtojë, pasi ndeshjet janë shumë afër njëra-tjetrës dhe si pasojë duhet një përgatitje e mirë fizike. Uroj që djemtë të jenë në formë dhe të japin maksimumin në sfidat e radhës”, tha Resuli për Fshf.org, duke shtuar edhe objektivat që kuqezinjtë kanë në këto dy sfida: “Unë e kam bërë të qartë se objektivi ynë mbetet që të përfaqësohemi sa më mirë në këto eliminatore dhe t’u tregojmë të gjithëve vlerat tona më të mira e që e meritojmë të jemi këtu. Synojmë të bëjmë një paraqitje dinjitoze në këto dy ndeshje, por duhet të kemi edhe pak fat që gjithçka të shkojë mirë”, – theksoi tekniku i kombëtares shqiptare të Futsalit.

Më poshtë edhe lista e plotë e ekipit Kombëtar të Shqipërisë për dy ndeshjet zyrtare ndaj Danimarkës:

Top Channel