Conte: Tek Interi për një kohë të gjatë, Italia më fut të dridhurat

27/02/2021 13:54

Antonio Conte dhe Interi, një marrëdhënie që dikush do të donte ta ndërpriste pasi u eliminua nga Champions League.

Në intervistën dhënë për “Corriere dello Sport”, trajneri zikaltër deklaroi se largimi i tij do t’ua kishte bërë më të lehtë kundërshtarëve:

“Si kundërshtar dua ta vras, e kam fjalën sportivisht, armiku im. Largimi mi im do të kishte lehtësuar të tjerët. Interi është sfida më e vështirë e karrierës sime. A do të qëndroj gjatë? Të lësh gjurmën tënde dhe të qëndrosh për shumë vite është gjëja më e mirë për një trajner. Më kishin këshilluar të mos e drejtoja Interin, por më pëlqejnë sfidat. Përvoja tek Juvja ishte e rëndësishme për të pasur bagazhin plot. Kam arritur shumë më i përgatitur.”

Conte shpjegon më tej vështirësitë në përcjelljen e mentalitetit fitues:

“Është e vështirë të ndryshosh mentalitetin e një ekipi që nuk ka fituar për 10 vjet. Në mënyrë të pavetëdijshme kërkon justifikime dhe fajëson të tjerët.”

Nga paraardhësit e tij në stolin e Interit veçon Spallettin, për futbollin e tij të bukur, ndërsa për të ardhmen e tij, Conte shpjegon.

“Nuk e di nëse do të fitojmë, por do të bëjmë gjithçka për të pasur sukses. Një trajner, kur vendos të martohet me një projekt, është i lumtur nëse ka mundësi të punojë për një kohë të gjatë. Do të doja të kishte vazhdimësi në gjithçka.”

Por ekziston diçka që mund ta lëkundë trajnerin zikaltër në të ardhmen:

“Nëse mendoj për ekipin kombëtar, më vijnë të dridhura. Dera në përfaqësuesen e Italisë do të jetë gjithmonë e hapur për mua”.

Top Channel