Arabia Saudite kundër SHBA-së/ Raporti për vrasjen e gazetarit, plot ‘gënjeshtra’

27/02/2021 16:56

Arabia Saudite e ka hedhur poshtë raportin e inteligjencës amerikane që e lidh princin e kurorës, Mohammed bin Salman me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Riadi u shpreh se janë marrë sakaq të gjitha masat e nevojshme juridike për ndëshkimin e autorëve. Në raportin e CIA-s të bërë publik të premten, citohet fuqia e princit mbi forcat saudite të sigurisë e nënvizohet se ata nuk do të ndërmerrnin vetë një operacion të tillë pa marrë më parë dritën jeshile prej tij. Ministria e jashtme saudite u përgjigj duke thënë se raporti përfshin informacione të rreme.

“Personat përgjegjës për atë vrasje janë dënuar nga gjykatat dhe dënimi i tyre është përshëndetur nga familja e Jamal Khashoggit, theksohet në deklaratë. Gazetari, që jetonte në SHBA dhe ishte kritik i ashpër i autoriteteve saudite, u vra teksa vizitonte konsullatën e vendit të tij në Stamboll.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi pas publikimit të raportit, se do të zbatohen kufizime në viza amerikane për 76 individë sauditë. Ai tha se kufizimet në viza janë pjesë e një politike të re, të quajtur “Ndalesa Khashoggi”, e cila i mundëson Departamentit të Shtetit të vendosë kufizime në viza ndaj individëve që veprojnë në emër të një qeverie të huaj “për të shtypur, frikësuar, kërcënuar apo dëmtuar gazetarët, aktivistët apo personat tjerë”, që konsiderohen disidentë.

Në 2018, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) pohonte se beson që princi i kurorës ka dhënë urdhrin për vrasje, mirëpo supozimet se ai ka qenë i përfshirë në këtë rast nuk janë bërë publike nga zyrtarët amerikanë deri më tani.

Top Channel