Teste covidi si ato të shtatzanisë…/ Plani i Gjermanisë: Të blihen nga qytetarët në dyqane

25/02/2021 15:02

Në Gjermani, autoritetet kanë dhënë miratimet speciale për tre produkte që i mundësojnë njerëzve të bëjnë vetë teste për të verifikuar nëse janë apo jo të infektuar me koronavirus.

Deri më tani, ekzistojnë vetëm teste të shpejta për zbulimin e infeksionit, që kryhen nga staf i trajnuar mjekësor. Por, ministri i shëndetësisë, Jens Spahn, thotë se testet e koronavirusit do të mund të blihen në të ardhmen edhe në dyqane. Spahn mendon se këto teste mund të futen në përdorim që nga java e parë e marsit. Tek tre llojet e testeve që kanë marrë dritën jeshile nga autoritetet përgjegjëse në Gjermani, merren kampionë nga goja apo hunda. Sipas studimeve të publikuara nga prodhuesit, këto teste në të ardhmen do të mund të bëhen edhe nga personat që nuk janë ekspertë apo nuk janë stërvitur për testime. Para dhënies së një license të veçantë për teste të tilla, ekspertët kontrollojnë jo vetëm funksionimin teknik të tyre.

Por shtrohet edhe pyetja nëse testi mund të përdoret në mënyrë të sigurt nga personat që nuk janë trajnuar për këtë. Kjo përfshin edhe udhëzime dhe shpjegime të kuptueshme për secilin, se si funksionojnë këto teste, u tha paraprakisht. Prej datës 12 shkurt, në Institutin Federal për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore kanë mbërritur rreth 30 kërkesa për licensimin dhe lejen e përdorimit të testeve të ndryshme.

Krahas vaksinave, testet e shpejta janë një prej shtyllave më të rëndësishme në parandalimin e përhapjes së pandemisë. Kjo çështje ka fituar në peshë kohët e fundit, pas përhapjes së shpejtë të variantit akoma edhe më ngjitës të koronavirusit, i cili u zbulua për herë të parë në Britaninë e Madhe, por edhe për shkak të hapjes së kopshteve dhe shkollave.

Top Channel