Shatërvanë llave dhe hi/ Etna shpërthen sërish, hera e gjashtë në tetë ditë

25/02/2021 14:42

Mali Etna në ishullin italian të Siçilisë, ka nxjerrë shatërvanë llave dhe hi nga dy vatra të hapura në kraterin juglindor, për të gjashtën herë radhazi në tetë ditët e fundit.

Shatërvanët e llavës madje kanë arritur lartësinë e mbi 400 metrave.
Etna ka mahnitur madje edhe vetë vullkanologët ditët e fundit, me shatërvanët spektakolarë të llavës që kanë ndriçuar qiellin siçilian thuajse çdo natë.

Prej më shumë se një jave, Etna nxjerr rregullisht llavë, hi dhe shkëmbinj vullkanikë. Aeroporti i afërt i Katanias u mbyll madje përkohësisht dhe banorët e qytezës Pedara thanë se kishin parë madje shkëmbinj të binin si shi ndërsa një shtresë e trashë hiri ka mbuluar qytezën.

Deri më tani, nuk ka patur raporte për dëme apo të lënduar. 3324 metra i lartë, Etna është vullkani aktiv më i lartë në Evropë dhe ka shpërthyer shpesh në 500 mijë vitet e fundit.

Top Channel