Prej 5 vitesh në arrati! Kapet delja baarack, lesh sa për 490 palë çorape

25/02/2021 13:18

Një dele që endej nëpër pyjet australiane, në gjendje të lirë, është qethur më në fund, duke u çliruar nga 35 kilogramë lesh që mbante mbi shpinë, pas rreth pesë vitesh e rritur në natyrë.

Me peshën e rëndë të leshit, dhe me vite baltë dhe mbetje të tjera që i ishin ngjitur mbi të, delja e quajtur Baarack, u pa në një pyll në shtetin e Viktorias dhe u dërgua në një qendër shpëtimi të kafshëve, në veri të Melburnit.

Kujdestarët, e kanë qethur atë duke nxjerrë jo pak, por 35 kg lesh, një peshë akoma më e madhe se ajo e deles së famshme Shrek, në Zelandën e re, që u kap në 2005 pas gjashtë vitesh arrati.

Delja merino, e quajtur Baarack nga shpëtuesit, u pikas të sorollatej e vetme me leshin e saj të rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe menjëherë u mor nën kujdesin e ekspertëve të cilët e qethën, me qëllim që ti shpëtonin jetën.

Baarack është më e fundit në një varg të gjatë delesh të mëdha e plot lesh që zënë vend në lajmet ndërkombëtare. Në 2005, Shrek, u bë një personalitet i dashur në Zelandën e re pasi kishte kaluar gjashtë vite duke u arratisur dhe duke u rritur në përmasa të jashtëzakonshme. Kur u qeth, ai nxorri 27 kg lesh e madje edhe u takua me kryeministren e Zelandës së re, Helen Clark, para se të ngordhte në 2011. Sipas mediave australiane, me leshin e Shrekut, u prodhuan 47.3 triko. Ndërkohë që sipas përllogaritjeve, ai i deles Baarack, do të mundësonte endjen e 61 trikove ose 490 palëve corape.

Top Channel