Moska i konsideron si provokim sanksionet e BE-së për dënimin e Navalnit dhe deklaron se do të kundërpërgjigjet.
Rusia kërcënoi me pasoja pas njoftimeve për sanksione të reja të BE-së ndaj Rusisë për shkak të burgosjes së kritikut të Kremlinit Aleksej Navalni. Sanksionet nuk do të mbeten pa përgjigje nga pala ruse, tha kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dumës, Leonid Slutsky, sikurse njofton agjencia Interfax.
Ai nuk dha asnjë detaj, por tha se masat ndëshkuese në çështjen Navalny janë «një hap tjetër drejt përkeqësimit të marrëdhënieve me Rusinë». Sluzki e akuzoi Brukselin se e refuzon në mënyrë konsekuente hyrjen në një dialog me Moskën duke u nisur «nga shkaqe absolutisht të largta dhe provokuese». «Kjo nuk mund të kontribuojë në asnjë mënyrë për normalizimin», tha Leonid Slutsky.
Masat ndëshkimore të BE-së ndaj Rusisë
Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE kishin rënë dakord më parë të fillonin me përgatitjet e nevojshme për masat e reja ndëshkimore ndaj Rusisë. Sipas informacioneve nga Brukseli për këtë do të përdoret një instrument i ri sanksionesh. Ky bën të mundur që BE-ja të ngrijë pasuri që mund të kenë në BE aktorë përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Fjala është si për ata që kryejnë shkelje të tilla edhe për ata që përfitojnë prej tyre. Përveç kësaj pritet që një sërë personash nga Rusia t’u ndalohet të hyjnë në BE.
Drejtësia ruse e dënoi Navalnin të shtunën me dy vjet e gjashtë muaj kamp internimi. Ky proces kritikohet si i motivuar politikisht./DW/
Top Channel