Niveli i borxhit publik arriti në nivele rekord prej 77.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2020, norma më e lartë e regjistruar ndonjëherë për financat shqiptare, duke reflektuar pasojat e rënda të krizës.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, stoku total i borxhit arriti në 1.22 trilionë lekë vitin e kaluar, nga 1.11 trilionë që ishte në 2019, duke shënuar një rritje me rreth 111 miliardë lekë.
Arsyet kryesore për rritjen e borxhit publik në vend lidhen kryesisht me ndikimin pandemisë Covid-19, e cila vijon të ushtrojë një presion të madh në financat publike.
Rritja e madhe e shpenzimeve buxhetore për mbulim e nevojave të emergjencës shëndetësore thelloi më tej deficitin buxhetor në rekorde historike në 110 miliardë lekë në fund të 2020-ës, çka solli më pas edhe këtë normë të lartë borxhi.
Por, me gjithë kapërcimin në 77.8%, realizimi i këtij treguesi rezultoi më i ulët se pritshmëritë e qeverisë që parashikonte një normë prej 79.9% të tij në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Një normë e tillë shqetësuese e borxhit publik ishte paralajmëruar më herët edhe nga institucionet e huaja financiare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, pritshmëritë e të cilit në raportin e fundit flisnin për një skenar ku niveli I borxhit mund të arrinte në 82.2% të PBB-së.
Top Channel