8 kuverta, 48 kabina/ Super-jahti i radhës $500mln i Roman Abramovich përfundon ndërtimin në kantierin gjerman (fotot)

23/02/2021 18:29

Super-jahti i ri 500 milionë dollarë i manjatit rus Roman Abramovich është fotografuar për herë të parë teksa është thuajse i kompletuar në një kantier detar në Gjermani.

Solaris, 160 metra i gjatë, i pajisur me helipad e pishina, do të nisë së shpejti testimet detare para se t’i dorëzohet në verë pronarit 54 vjeçar të klubit anglez të futbollit Chelsea.

Jahti me tetë kuverta i milionerit rus është pajisur me 48 kabina, ku mund të flenë 36 të ftuar, si dhe ekuipazhi prej 60 vetësh.

Dy motorë elektrikë të teknologjisë së lartë të quajtur Azipod-e, do të shtyjnë barkën gjigande. Helikat e saj të fuqishme mund të kthehen deri në 360 gradë, duke dhënë manovrueshmëri të shtuar, pa pasur nevojë për fletë timoni.

Por megjithë masën impresionuese, mjeti i ri i Abramovich nuk është më i madh sesa jahti që ai zotëron, Eclipse që arrin në 180 metra.

Përveç Solaris e Eclipse, milioneri rus ka zotëruar të paktën pesë super-jahte të tjerë, duke përfshirë Sussurro 55 metra i gjatë, Ecstasea 95 metra, dhe Luna e Pelorus, secili 120 metra të gjatë, si dhe Grand Bleu 125 metra.

Solaris u fotografua në kantier mes vinçave e skeleteve të ndërtimit, dhe raportohet se është pranë përfundimit nga kantieret gjermane Lloyd Werft në Bremerhaven, në veri të Bremen.

Një burim tha për të përditshmen The Sun: “Ky do të jetë jahti i vitit kur të lëshohet disa muaj më vonë”.

Solaris ka shpejtësi maksimale prej 18 nyje detare (20 milje në orë). Ai është i pajisur me një bar të jashtëm, jacuzzi e sauna.

Abramovich zotëron super-jahtin Eclipse që kushton pak më shumë se i riu, të cilin e përdor për lundrime në rivierën franceze, ku ka në pronësi një vilë në gadishullin Antibe.

Eclipse raportohet se ka një sistem anti-raketë dhe veshje të blinduar në rezidencën e Abramovich.

Burimi i ndërtimit shtonte: “Detajet e ndërtimit mbahen sekret por sigurisht jahti i ri do të jetë një shtesë e mrekullueshme për pronarin e tij”.

Para Solaris e Eclipse, milioneri ka zotëruar Le Grand Bleu që kushtonte 130 milionë dollarë, Pelorus 320 milionë dollarë, dhe po aq jahtin Luna.

Luna e Le Grand Bleu ishin jahte të kategorisë së ekspeditave, me kiç të fortë që mund të çajnë dete të ashpra.

Disa nga jahtet e tij i janë dhënë hua futbollistëve të njohur të skuadrës së Chelsea gjatë viteve, si John Terry, Frank Lampard e Didier Drogba.

Por rusi nuk do të lundrojë në Britani së shpejti pasi raportohet se i ka skaduar viza dy vjet më parë.

Abramovich, i cili zotëron prona në vlerë $250 milionë në Londër, është bërë qytetar izraelit në 2018 dhe anulloi aplikimin për vizë britanike.

FOTO GALERI
1/14
Super-jahti i ri 500 milionë dollarë i manjatit rus Roman Abramovich është fotografuar për herë të parë teksa është thuajse i kompletuar

Top Channel