Spanjë, vazhdojnë protestat me kërkesën për lirimin e reperit të burgosur

22/02/2021 13:38

Madrid- Vandalizmi dhe dhuna sërish kanë shoqëruar protestat në Spanjë që u organizuan për natën e gjashtë radhazi me kërkesën për lirimin e reperit të burgosur Pablo Hasel më 16 shkurt, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestat të cilat zhvillohen në Barcelonë, Girona dhe Lleida, gjithashtu u përhapën edhe në disa qytete të rajonit Bask.

Në Barcelonë ku deri më tani u shënuan më së shumti veprime të dhunshme, vazhduan incidentet edhe në ditën e gjashtë.

Protestuesit e grupeve të ekstremit të majtë, u vunë flakën koshave të plehrave dhe bllokuan rrugët, si dhe dëmtuan dyqanet, bankat dhe automjetet, ndërsa po ashtu sulmuan policinë duke hedhur gurë dhe shishe.

Policia ka arrestuar 6 persona prej të cilëve 5 janë përfshirë në plaçkitjen e një dyqani.

Rreth 107 njerëz janë ndaluar nga policia dhe gati 82 janë plagosur në gjashtë ditët e fundit. Shumica prej të ndaluarve janë liruar nga gjykatat.

Hasel, i cili u dënua me nëntë muaj burg për glorifikim të terrorizmit dhe fyerjen ndaj monarkisë dhe institucioneve shtetërore për shkak të disa shprehjeve që ai përdori në Twitter dhe në këngët e tij, u vendos në burg nga policia më 16 shkurt.

Ndaj tij doli edhe një vendim i ri i gjykatës, i cili përfshin dy vite e gjysmë burg për shkak të një akuze tjetër.

Burgosja e reperit spanjoll ka nxitur debate në Spanjë në lidhje me demokracinë dhe lirinë e shprehjes.

Grupet radikale të krahut të majtë në gjithë vendin, veçanërisht Unidos Podemos, partneri i vogël i qeverisë së koalicionit të majtë, kërkojnë që Hasel të falet dhe të lirohet.

Top Channel