Shtetet e Bashkuara fillojnë bisedimet për lirimin e pengjeve nga Irani

22/02/2021 11:03

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara kanë filluar bisedimet me Iranin për kthimin e të paktën pesë pengjeve amerikanë, që po mbahen nga Teherani.

Në një intervistë në emisionin “Face the Nation” të CBS News, Sullivan tha se ishte një “përparësi e rëndësishme” e administratës së presidentit Joe Biden për t’i kthyer amerikanët “të sigurt në shtëpi” dhe se kishte një “zemërim të plotë dhe të skajshëm” për mbajtjen e tyre.

“Ne kemi filluar të komunikojmë me iranianët për këtë çështje,” tha zoti Sullivan, duke vlerësuar se pengjet po mbahen “në një mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme”, ndërsa e cilësoi këtë si një “katastrofë humanitare”.

Irani po mban një duzinë personash me shtetësi të dyfishtë, përfshirë pesë amerikanë, kryesisht nën akuzat për spiunazh.

Me gjithë diskutimet rreth pengjeve, zoti Sullivan tha se nuk kanë filluar bisedime me Teheranin në lidhje me rikthimin e Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015 për të frenuar programin bërthamor të Iranit, për të cilin zyrtarët iranianë thonë se është për qëllime paqësore dhe jo për zhvillimin e armëve bërthamore.

Presidenti Biden tha të premten se Shtetet e Bashkuara duan të “ri-angazhohen në negociata” për të ringjallur marrëveshjen nga e cila ish-presidenti Donald Trump u tërhoq në vitin 2018.

“Ne kemi nevojë për transparencë dhe komunikim për të minimizuar rritjen e keqkuptimit strategjik ose të gabimeve,” tha presidenti Biden në Konferencën virtuale të Sigurisë në Mynih.

Por zoti Sullivan tha se “Irani nuk u është përgjigjur ende” përpjekjeve për të ripërtërirë bisedimet bërthamore.

“Është Irani ai që është izoluar tani në pikëpamje diplomatike, jo Shtetet e Bashkuara, dhe topi është në fushën e tyre”, tha ai.

Më herët të dielën, Irani tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të ribashkohen me marrëveshjen bërthamore para se të heqin sanksionet ekonomike kundër Teheranit. Uashingtoni thotë se Teherani duhet së pari të veprojë në pajtim me marrëveshjen e vitit 2015 dhe të ulë shkallën e pasurimit të uraniumit.

Komentet në Uashington dhe Teheran u bënë ndërsa Rafael Grossi, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, takoi zyrtarët iranianë në përpjekje për të siguruar që inspektorët e tij të vëzhgojnë programin bërthamor të Teheranit./VOA/

Top Channel