Raffaele Cutolo, shefi i organizatës së famshme mafioze italiane, Camorra, i cili vdiq në burgun e Parmas, u dërgua për në banesën e fundit në orët e vona të natës së djeshme, rreth orës 23:15.
Për të përcjellë trupin e pajetë të njeriut që kaloi mbi 25 vjet nën regjimin 41 bis në burgje të ndryshme italiane, ishin vetëm 12 persona.
Gruaja e tij Immacolata Iacone dhe vajza e tij Denyse, të cilët e ndoqën atë nga Parma, vëllai i tij Pasquale dhe motra e tij Rosetta dhe disa nipër e mbesa.
Ndërkohë policia kishte marrë masa të forta në qytetin Ottaviano. Autoritetet kishin frikë nga grumbullime të shumta njerëzish, pasi mijëra mesazhe ngushëllimi u shpërndanë në rrjetet sociale.
Kush ishte Raffaele Cutolo?
Raffaele Cutolo konsiderohej themeluesi i riorganizimit të mafies napoletante Camorra dhe përgjegjës i atentateve të përgjakshme mafioze në vitet ’70-’80.
Prej vitit 1995 ndodhej në burg nën regjimin më të egër 41 bis, me 4 dënime të përjetshme për vrasje e organizim kriminal mafioz.
I njohur me nofkën “profesore“, ka kryer vrasjen e tij të parë, më vitin 1963, në moshën 22-vjeçare.
Aktiviteti kriminal i Raffaele Cutolo arriti kulmin në vitin, 1971 kur themeloi lindjen e “Camorra e re e organizuar”, një model klanesh mafioze, i bazuar në një skemë piramidale si mafia kalabreze e ajo siciliane dhe e frymëzuar nga rite masoneria.
Modeli i tij mafioz ishte kulti i personalitetit të kapos, me një ideologji kriminale paraushtarake e përbërë nga një bazë ushtarësh besnikë në mbrojtjen e çdo afere të paligjshme.
Raffaele Cutolo, lindi në qytezën Ottaviano, në afërsi të vullkanit Vezuvio në provincën e Napolit, ku edhe do të prehet.
Top Channel