Transformimi dixhital i muzeumit “Adler Planetarium”

21/02/2021 18:34

Sonda robotike “Perseverance” e NASA-s po e fillon misionin e saj në sipërfaen marsiane pas uljes së sukseshme disa ditë më parë në planetin e kuq. Korrespondenti i Zërit të Amerikës e ndoqi momentin historik nga muzeu “Adler Planetarium” në Çikago që i është kushtuar tërësisht studimit të astronomisë dhe astrofizikës.

Festimi i uljes së një sonde të NASA-s në Mars është një arritje që zakonisht tërheq shumë njerëz në muzeumin “Adler Planetarium” në Çikago. Po jo kësaj here. Michelle Nichols është drejtoreshë e muzeumit për marrëdhëniet me publikun.

“Jemi mbyllur që nga marsi i kaluar si rezultat i pandemisë. Po të kishte qënë i hapur për publikun, do ta kishim ndjekur nga këtu momentin historik.”

Ndërsa teatri i muzeumit nuk ishte plot me njerëz, emocionet ishin të mëdha. Pavarësisht mungesës së publikut, një imazh gjigand i sondës robotike tërhoqi shumë ndjekës në internet.

“Po përdorim aftësi krijuese për të sjellë publikun virtualisht në muzeum me synimin që të ofrojmë të njëjtën eksperiencë”, thotë Michelle Nichols me muzeumin “Adler Planetarium”.

Gjatë prezantimit virtual, punonjësit e muzeumit iu përgjigjën pyetjeve lidhur me misionin në Mars dhe rëndësinë. Andrew Johnston është Nënpresident i muzeumit “Adler Planetarium” në Çikago.

“Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë rëndësinë e fenomenit mahnitës e dramatik të eksplorimit.”

12-vjeçarja Keira Smail, prindërit e së cilës punojnë në muzeum, ndoqi nga shtëpia prenzatimin e drejtpërdrejtë në Youtube të arritjeve të fundit të NASA-s.

‘Nuk besoj se do ta kishim parë nga shkolla, por për shkak të pandemisë, e ndoqa nga shtëpia.”

Smail, e cila nuk ka qënë në klasë që nga marsi i kaluar, e shikon komunikimin dixhital të muzeumit si një mënyrë të re për të tërhequr një audiencë më të gjerë.

“Shumë njerëz nga mbarë bota që nuk mund të shkojnë në muzeum tani mund ta vizitojnë atë virtualisht, pa patur nevojë të udhëtojnë.”

Mungesa e një audience të pranishme fizikisht nuk e zvogëloi dramacitetin e pritjes së zbarkimit në Mars, në misionin për kërkimin e shenjave të jetës, çfarë mund të riformojë përceptimin e njeriut për kozmosin.

“Është pothuajse sikur të jesh aty. Kamerat e montuara në sondë do të filmojnë ndërsa roboti lëviz në sipërfaqe. Një dron po ashtu do të filmojë nga lartësia. Është pothuajse sikur ta imagjinosh veten që ecën atje. Për këtë arsye njerëzit janë të frymëzuar të mësojnë për programe të tilla, për Marsin dhe të vizitojnë muzeumin Adler”, thotë Andrew Johnston me muzeumin “Adler Planetarium” në Çikago.

Misioni në Mars vjen ndërsa NASA po përgatitet për rikthimin në hënë, mes një mori misionesh të tjera që zonja Nichols thotë se mund të ndiqen nga muzeumi Adler.

“Anije hapsinore pa njerëz do të udhëtojnë drejt Hënës nga fundi i vitit. Kemi lëshimin e teleskopit hapësinor James Webb. Një shans tjetër për të tërhequr më shumë vizitorë virtualë. Do të kemi eklipse diellore në 2023 dhe 2024. Pra horizontet po zgjerohen. Shpresoj që në të ardhmen të bëhet e mundur vizita individuale në muze”, thotë zonja Michelle Nichols.

Ndërkohë, thotë ajo, muzeu do të ndjekë nga afër arritjet e sondës robotike në planetin Mars, mision i cili do të zgjasë disa vite./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA