Vaksinë me një birrë falas/ Fushata anticovid në Izrael, nuk njeh limite

20/02/2021 14:43

Fundjava ka nisur në Tel Aviv dhe në luftën kundër koronavirusit, nuk humbet kohë dhe vaksinat dërgohen edhe në vendet e frekuentuara nga të rinjtë.

Kështu, në Tel Aviv, organizohen edhe të ashtuquajturit Bare vaksinash, ku ofrohet në banak doza jetë-shpëtuese dhe një birrë falas bashkë me të. Në këtë nismë, marrin pjesë shtatë lokale të qytetit, në zonën më të frekuentuar nga të rinjtë, me një kalendar të publikuar në mediat sociale.

Atje mund të marrësh vaksinën, pa lënë më parë një takim, dhe dozat administrohen madje deri në mesnatë, mes një gote dhe tjetrës.

“Nuk ka dhe as nuk do të ketë në të ardhmen vaksinim me detyrim në Izrael.

Nuk do të ketë sanksione personale për ata që nuk duan të vaksinohen”, thotë ministria e shëndetësisë, por sidoqoftë ajo tërheq vëmendjen se rrezikojnë burgun të gjithë ata që do të tentojnë të falsifikojnë Green Pass, certifikatën që provon imunizimin me të dyja dozat.

Ajo mund të merret në ministrinë e shëndetësisë, përmes një aplikacioni ose nga qendra që ka kryer vaksinimin.

Të gjithë ata që janë të pajisur me këtë certifikatë, janë të lirë të frekuentojnë bare e restorante, pa kufizime. Në izrael, infektimet e reja por edhe rastet e rënda, janë në rënie tani në krahasim me fillimin e izolimit të tretë.

Vendi tani ka imunizuar 45.3 për qind të popullatës, mbi 4 milionë banorë, me të paktën një dozë. Ndërkohë që mbi 2.7 milionë banorë i kanë marrë të dyja dozat.

Top Channel