Teuta mund sërish Tiranën/ Laçi mund Kastriotin, Bylis fiton me Apoloninë

20/02/2021 20:16

Tirana duket se është kthyer në viktimën e preferuar të Teutës.

Skuadra durrsake e mposhti sërish skuadrën bardhe-blu në ‘Selman Stërmasi’ me rezultatin e ngushtë 1-0. Njeriu që vendosi ndeshjen në favor të durrsakëve ishte Lorenzo Vila me golin e shënuar që në minutën e 21 të sfidës.

Teuta zhvilloi një lojë relativisht të mirë duke mos e lejuar Tiranën që t’i shkaktojë ndonjë problem gjatë gjithë 90 minutëshit, edhe pse bardheblutë i patën rastet e tyre, duke marrë këto 3 pikë që e ngjisin për momentin në vendin e tretë me 36 pikë, po aq sa edhe Laçi që ka marrë përkohësisht vendin e dytë.

Skuadra kurbinase që për 10 ndeshje nuk do të ketë Nwabuezen të skualifikuar, mposhti Kastriotin me rezultatin 1-0.  Trajneri Duro i besoi repartin e sulmit Harmon, por golin e fitores për Laçin e shënoi mesfushori Lushkja në minutën e 31 të ndeshjes duke i dhënë skuadrës së tij 3 pikë shumë të çmuara.

Bylis fitoi Derbin e mbijetesës ndaj Apolonisë më rezultatin 1-0 duke e lënë vendin e fundit të klasifikimit për t’u ngjitur në të 8. Në ‘Loni Papuciu’ të Fierit, fati i takimit në favor të ballshiotëve u vendos në minutën e 80 të tij, kur Anthony Beeji shënoi golin që vulosi rezultatin 1-0 për Bylisin. Java e 20 e Kategorisë superiore do të mbyllet me sfidat Skënderbeu-Vllaznia dhe Kukësi-Partizani ditën e diel, sfida që do të transmetohen në platformën Digitalb.

Top Channel