Një vit më parë në Codogno…Pacienti 1’ në Itali, 95 mijë viktima në 12 muaj

20/02/2021 13:56

Nëse kapërcen portën e varrezës së Codogno-s, me katër shtyllat e saj masive dhe fjalën Ringritje të shkruar në latinisht, gjurmët e koronavirusit nuk janë të dukshme menjëherë.

Por, përtej dhjetëra ëngjëjve të mermertë dhe pllakave të dekoruara të varreve, një mori pllakash të thjeshta graniti tregojnë masakrën e atij që, një vit më parë, ishte një virus i ri i tmerrshëm, në këtë qytet modest në Italinë e veriut.

Të dielën, Codogno, do të shënojë një vit që nga regjistrimi i rastit të parë të koronavirusit në Itali, në atë që u shndërrua edhe në shpërthimin e parë të madh në Evropë.

Emy Cavalli: Ajo që ka ndryshuar krahasuar me një vit më parë është se ne tani, përjetojmë gjithçka që lidhet me covidin, me kujdes. Virusi ka revolucionarizuar jetët tona. Nuk jemi më të lirë ta jetojmë jetën me normalitetin që kishim më parë

Virusi tronditi të gjithë rajonin e Lombardisë, duke e bërë Italinë epiqendrën e re të pandemisë globale, që tani ka marrë më shumë se 2 milionë jetë njerëzish, rreth 100 mijë prej të cilave, vetëm në Itali.

Francesco Passerini, kryebashkiaku: Ne u përfshimë nga një tsunami, një bombë bërthamore, një meteor. Dicka e paimagjinueshme. Do të kishte mundur edhe të na fshinte.

Por, falë unitetit, forcës së komunitetit, ndihmës për njëri tjetrin, mundëm ti rezistonim gjithë kësaj
Emanuele Patt: Unë mendoj se qyteti im reagoi mirë ndaj pandemisë. Në një mënyrë të zgjuar. Ishin administratorët që bënë ndryshimin por edhe qytetarët që ndryshuan mentalitetin e tyre

Më 21 shkurt, një 38 vjeçar i njohur si pacienti 1, u identifikua në spitalin e qytetit pasi një doktor shkeli protokollin për ta testuar atë për koronavirusin. Pak ditë më pas, u regjistruan edhe viktimat e para…Asokohe qyteza me rreth 15 mijë banorë, u vu menjëherë në një izolim të rreptë. Sot, qyteza e ka mundur por jo zhdukur frikën, dhe banorët thonë se janë më të kujdesshëm…

Top Channel