Ushtria e SHBA refuzon vaksinën/ Pentagoni: Një pjesë e trupave nuk janë të bindur

19/02/2021 12:38

Një e treta e ushtrisë amerikane refuzon ta bëjë vaksinën anti-Covid.

Pentagoni njoftoi se pjesa tjetër e trupave janë bindur, por niveli i lartë i ushtarëve që nuk pranojnë të marrin këtë vaksinën, është kthyer në shqetësim për ministrinë amerikane të mbrojtjes. Zyrtarë të lartë të saj si gjeneral major Jeff Taliaferro, thanë se ky refuzim nuk i ka prekur aftësitë e zhvendosjes sepse ushtria është përshtatur të veprojë edhe në një mjedis pandemic. Por ai shtoi se vaksinimi do të rriste edhe më shumë kapacitetin e lëvizjes dhe i mëshoi idesë se “marrja e vaksinës, është gjëja më e drejtë për t`u bërë, në të mirë të të gjithëve.

Ai nuk shpjegoi arsyet që e kanë shtyrë një te tretën e trupave amerikane të mos pranojnë që t`u administrohen vaksina anticovid. Më herët sakaq, Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve publikoi statistikat që tregojnë se jetëgjatësia në përgjithësi ra me një vit të plotë në gjysmën e parë të vitit 2020, rënia më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të dhënat paraprake të lëshuara nga Qendra Kombëtare e Statistikave Shëndetësore e CDC për periudhën janar-qershor 2020 tregojnë se pakicat shënuan një rënie më të madhe, me afrikano-amerikanët që shënuan gati tre vjet dhe hispanikët, gati dy vjet rënie të jetëgjatësisë. Zyrtarët shëndetësorë thonë se të dhënat pasqyrojnë ndikimin e pandemisë së COVID-19 si dhe një rritje të vdekjeve nga mbidozat e ilaçeve, sulmet në zemër dhe sëmundjet që shoqëruan shpërthimin e pandemisë.

Top Channel