Të dielën paradite nis në Tiranë vaksinimi i personaliteteve mbi 80 vjeç.
Autoritetet shëndetësore janë duke punuar si për hartimin e listës por edhe lajmërimin e personave që përfitojnë vaksinim më të shpejtë nga sasia e vaksinave që mbërritën vetëm pak ditë më parë. Lista ende nuk kishte përfunduar mesditën e kësaj të premte, por mësohet se të parët do të jenë, aktorët Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Reshat Arbana, regjisori Piro Milkani.
Vaksinimi i personaliteteve plus 80 përplasi ne distancë Edi Ramën dhe Ilir Meta. Kryeministri ishte i pari, i cili akuzoi kreun e shtetit se po shpërdoron detyrën për qëllime politike të ish-partisë së tij.
Edi Rama: Iliri për fat të keq nuk është president. Thotë çfarëdo qoftë se atij i duket që prodhon vota për ndërmarrjen e tij partiake. Iliri ia arritur të paarritshmen, e ka bërë Bujar Nishanin të duket si Xhefersoni.
Në një dalje të rrufeshme, Presidenti Meta e akuzoi Edi Ramën se po bën ndarje selektive në vaksinimin e popullatës ndërsa foli për një katastrofe epidemiologjike duke ja faturuar koston Kryeministrit.
Ilir Meta: Vetëm kriteret shkencore të gjendjes shëndetësore dhe të moshës të vendosur ndërkombëtarisht janë ato qe duhet të vendosin përparësi në vaksinimin e popollatës. Kriteret e ndarjes klasore dhe preferenciale janë tipike për diktaturat dhe diktatorët.
Sulmeve të kreut të shtetit për vaksinim selektiv kryeministri iu përgjigj përmes një Twitteri.
Edi Rama: Po ç’janë këta dembelë aktivë, siç i quan Konica, që kanë vënë kujën për genocid e diktaturë pse do vaksinohen disa personalitete mbi 80 vjeç, në kuadrin e vaksinimit të 80 vjeçarëve! Po mirë Tinka Kurti dhe Reshat Arbana fjala vjen, duhen lënë në fund vetëm pse janë të njohur.
Top Channel