Liderët e G7-ës premtojnë miliarda për skemën e vaksinave Covax

19/02/2021 21:53

Ne duhet të sigurohemi që e gjithë bota të vaksinohet pasi kjo është një pandemi globale.

Kjo ishte deklarata e kryeministrit britanik, Boris Johnson, në një takim të vendeve të G7-ës. Në këtë kuadër, Johnson, ka premtuar se do të dhurojë të gjithë tepricën e vaksinave të vendit të tij, për vendet më të varfra. Britania ka porositur më shumë se 400 milionë doza të vaksinave të ndryshme, ndaj do të ketë një tepricë të konsiderueshme pasi të gjithë të rriturit të vaksinohen.

Shkenca më në fund po ngrihet mbi covidin. Në të gjithë botën, ne duhet të sigurohemi se të gjithë të marrin vaksinat që u nevojiten në mënyrë që e gjithë bota ta kalojë e bashkuar këtë pandemi. Nuk ka asnjë kuptim që ne të vaksinojmë secili popullatat tona. Duhet të garantohemi që e gjithë bota të vaksinohet pasi kjo është një pandemi globale dhe nuk bën dobi që një vend të jetë para një tjetri. Duhet të lëvizim së bashku”.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i kërkoi vendeve perëndimore ti ofrojnë 13 milionë doza vaksine qeverive afrikane, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Nëse ne, evropianët dhe amerikanët, do të mund ti ofrojmë këto 13 milionë doza sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo do të thotë shumë për kredibilitetin tonë. E kjo shifër përfaqëson 0.43 për qind të dozave që kemi porositur”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha ndërkohë se gjermania do të dhurojë edhe 1.5 miliardë euro për të forcuar shpërndarjen e vaksinave në vendet më të varfra të botës, duke rritur kështu kontributin e mëhershëm prej 600 milionë eurosh. Ursula von der Leyen në anën tjetër njoftoi se BE do të dyfishojë kontributin e saj ndaj skemës Covax. Britania i ka dhuruar 640 milionë euro skemës, ndërsa shtetet e bashkuara i premtuan asaj 4 miliardë dollarë. Rreth 17 milionë njerëz në Britani kanë marrë deri më tani të paktën një nga dozat e vaksinës, dhe afro 600 mijë i kanë marrë të dyja.

Top Channel