Aleanca transatlantike është kthyer/ Biden në konferencën e Mynihut, hap një kapitull të ri

19/02/2021 19:07

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të premten se aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës është rikthyer pasi paraardhësi i tij, Donald Trump, i acaroi jo pak marrëdhëniet.

Unë po i jap botës një mesazh të qartë. Amerika është rikthyer dhe aleanca transatlantike është kthyer – tha Biden në fjalën e tij në konferencën e sigurisë të Mynihut.

“Amerika është kthyer. Aleanca transatlantike është kthyer. Dhe ne nuk do të shohim pas. Ne do të shohim, së bashku përpara. Themelet e forta mbi të cilat është ngritur siguria jonë kolektive dhe prosperiteti i përbashkët janë ngritur”.

Presidenti amerikan, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri britanik Boris Johnson dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ishin të pranishëm në konferencë. Vetë Biden, iu drejtua për të parën herë audiencës evropiane si president dhe kishte përpara misionin për të hedhur pas krahëve qasjen e paraardhësit të tij ndaj kontinentit të vjetër. Dhe kjo u bë e qartë që në fjalët e para të tij ndërkohë që është vlerësuar edhe nga kancelarja Merkel.

“Multilateralizmi është rritur pas ndryshimit në qeverinë amerikane. Administrata Biden e ka demonstruar tashmë këtë me vendimet e saj të para; rikthimin në marrëveshjen e Parisit për klimën, rikthimin në OBSH etj”.

Konferenca e Mynihut, e drejtuar nga Volfgang Ischinger, ka qenë forumi më i rëndësishëm për politikën ndërkombëtare të sigurisë për më shumë se 50 vjet. Qindra pjesëmarrës normalisht marrin pjesë në takimin shumë ditor, duke përfshirë krerë të shteteve dhe qeverive, si dhe ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes. Por kjo është e para herë që ajo mbahet në formë virtuale, për shkak të pandemisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA