Një autobus me shqiptarë të Kosovës që po udhëtonin drejt Kolashinit në Malin e Zi është qëlluar me gurë pikërisht në ditën kur Kosova kremton 13 vitet shtetësi.

Lajmin e ka bërë të ditur Semir Kardovic, konsulent në një Agjenci Turistike në Rozhajë, përmes një postimi në Facebook. Mësohet se rastin e ka denoncuar në policinë lokale edhe shoferi i autobusit. Nuk dihen ende arsyet e sulmit I cili për fat të mirë nuk shkaktoi të lënduar, edhe pse u thyen xhamat e autobusit.

Kardovic u shpreh se edhe më absurd situatën e bën fakti që policia malazeze ishte shumë pranë vendit ku ndodhi incidenti. Sipas tij nuk është hera e parë që sulmohen autobusët me turistë kosovarë të cilët shkojnë në këtë vend për të bërë ski.

“Çudia e madhe është se patrulla e policisë në Berane ishte vetëm 200 metra larg vendit të ngjarjes. Dhe kur organizatorët e udhëtimit shkuan të ankohen, ata i thanë të vazhdojnë rrugën sepse nuk mund t`i ndihmojnë”, shtoi konsulenti, duke pyetur nëse ky ishte urimi i malazezëve për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. E përditshmja malazeze Vijesti shkruante se nuk ka të dhëna që të bëhet për një sulm të organizuar, e për këtë arsye nuk është marrë asnjë masë.

Top Channel