Britania e Madhe infekton vullnetarë me koronavirus, bien ndjeshëm rastet e reja

18/02/2021 14:25

Për ta kuptuar më mirë koronavirusin, Britania e Madhe do të infektojë qëllimisht me patogjenin e rrezikshëm deri në 90 vullnetarë të moshave nga 18 deri në 30 vjec.

Ata do të ekspozohen ndaj virusit në një “mjedis të sigurt dhe të kontrolluar”. Projekti është planifikuar të fillojë në javët e ardhshme dhe subjektet nuk do të vaksinohen paraprakisht. Ndër të tjera, autoritetet duan të zbulojnë se si reagon sistemi imunitar  ndaj virusit, sa e madhe duhet të jetë ngarkesa virale për një infektim dhe si i lëshojnë në mjedis grimcat e virusit të infektuarit.

Studimi pritet gjithashtu të luajë një rol qendror në zhvillimin e vaksinave dhe medikamenteve kundër COVID-19. Qeveria po e financon këtë studim të parë në të gjithë botën me ekuivalentin e 38.6 milionë eurove. Ndërkohë në Britani, shifrat e infektimeve janë në rënie dhe kryeministri Boris Johnson po gjendet nën presionin të heqë masat izoluese më shpejt nga sa parashikohet. Mark Woolhouse, ekspert i sëmundjeve infektive nga Universiteti i Edinburgut u tha ligjvënësve britanikë se kreu i ekzekutivit duhet të fokusohet tek të dhënat aktuale dhe jo tek datat dhe të mendojë për një lehtësim më të shpejtë të masave. Britania e Madhe ishte vendi i parë perëndimor që filloi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit.

Top Channel