‘Porti’ i kroçerave/ Anijet luksoze, 9 muaj të ndalura në brigjet e Qipros

17/02/2021 20:45

Disa dhjetëra anije kroçera janë ndalur prej afro nëntë muajsh pranë brigjeve të Qipros, duke ndryshuar panoramën e një fshati peshkimi në ishullin turistik të goditur nga pandemia.

Qipro, ishte e shpejtë në vendosjen e një izolimi të ashpër, marsin e kaluar, duke mbyllur hapësirat ajrore dhe portet. Por, ishulli në Mesdhe, ekonomia e të cilit varet shumë tek turizmi dhe lundrimi, i hapi ujërat dy muaj më vonë për kroçerat, që ato të rifurnizoheshin dhe të ankoroheshin.

Carnival, është një nga operatorët më të mëdhenj të krocerave në botë, dhe nuk e la ofertën ti ikte nga duart…Anijet e saj luksoze janë ankoruar para fshatit Moni, që nga maji, ndërkohë që industria e kroçerave është ndalur në vend nga pandemia. Të ndalura vetëm 2 kilometra larg bregut, gjashtë anije kroçerë, janë bërë tani një atraksion edhe për vetë qipriotët.

Këto anije janë ndalur këtu sepse nuk kanë ku të shkojnë tjetër. Nuk ka punë për to në këto kohë…

Disa nga anijet kanë ardhur dhe janë larguar, por të tjera kanë qëndruar të ankoruara prej muajsh në pritje të ditës kur do të mund të kthehen në shërbim. Ekuipazhet madje kanë qëndruar në bord në mënyrë që të mirëmbajnë anijet. Sytë dhe shpresat tani janë drejtuar nga vaksinat.

 

Top Channel