Alberta Hashani, gazetarja e Top Channel ka zbuluar se si do të zhvillohet dita e Pavarësisë së Kosovës ditën e sotme duke thënë se qytetarët janë ftuar që të lyejnë dorën me ngjyrat e ushtrisë së Kosovës dhe shuplakën ta vendosin në obeliskun “Newborn”.

“Këtë vit është vendosur që në ngjyrat e ushtrisë së Kosovës, në nder të UÇK të lyejnë shuplakën dhe ta vendosin brenda obeliskut dhe t’i japin mbështetje atyre që ndodhen  në Hagë dhe atyre që kanë rënë për luftën e vendit”, tha Hashani në një lidhje skype me ‘Wake Up’.

Hashani u shpreh se në këtë ditë, shqiptarët do të festojnë jo vetëm Pavarësinë e Kosovës por edhe ndryshimin e qeverisë.

“Kohët e fundit, qytetarët janë fokusuar në politikë dhe një pjesë e tyre po festojnë pavarësinë dhe ndryshimin e qeverisjes. Këto ditë janë feste, qoftë për pavarësinë dhe qeverisjen. Bazuar në votat që janë numëruar deri tani, Albin Kurtit i takojnë 56 deputetë dhe për të formuar qeverinë i duhen 61 deputetë, por nuk janë numëruar ende votat e diasporës dhe mbetet për tu parë në vijim nëse do të rritet numri për të arritur shumicën e nevojshme parlamentare”, tha Hashani.

Gazetarja zbuloi se pritet që Lëvizja Vetëvendosje të zgjedhë të njëjtët emra për ministra, pasi kanë qenë krah Kurtit gjatë të gjithë fushatës zgjedhore. Ndër të tjera mbetet për tu parë nëse Kurti dhe Rama do të bien dakord dhe do të gjejnë një gjuhë të përbashkët sa i përket Shengenit Ballkanik.

Top Channel