Intervista Joe Biden: Çdo ish-president që jeton më ka telefonuar, përveç Trump (fotot)

17/02/2021 15:31

Presidenti amerikan Joe Biden tha sot se ka folur me të gjithë presidentët përveç njërit, dhe se nuk kishte qenë më parë në Shtëpinë e Bardhë megjithse ishte tetë vjet zv. President i Barack Obama.

Duke dhënë detaje për muajin e tij të parë si president, në një intervistë me CNN ai foli për barrën e të qenit komandant i ushtrisë, si dhe shtoi se çdo ish-president që jeton i ka telefonuar përveç atij të fundit.

Ish-presidentët amerikanë që jetojnë janë vetëm pesë, Jimmy Carter, Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama e Donald Trump. Të gjithë ata ishin në ceremoninë e inaugurimit të Biden përveç Carter – i cili dëshironte të merrte pjesë por prej moshës së kaluar dhe shëndetit të dobët iu këshillua të mos e bënte.

“Për katër vjet ajo që kemi parë në lajme ka qenë vetëm Trump. Katër vitet e ardhshme unë dua që ajo që shihni në lajme të jetë populli amerikan, jam lodhur me Trump,” tha Biden.

Presidenti i ri shtoi se është ende i magjepsur që duhet të jetojë në adresën e famshme 1600 Pennsylvania Avenue, që ka qenë shtëpia e çdo presidenti te SHBA përveç George Washington.

“Zgjohem në mëngjes, shikoj Jill e i them, ‘Ku dreqin jemi kështu,”‘ tha Biden duke iu referuar gruas së tij të dyzet viteve.

“Nuk është prej barrës së të qenit president por sepse ka kaq shumë që ndodh rreth teje, duhet të fokusohesh në çdo problem dhe cdo mundësi”, tha Biden, duke shtuar se megjithse ka punuar ngushtë për tetë vjet Obama, nuk kishte qenë asnjëherë në rezidencën e Shtëpisë së Bardhë.

Mes të tjerash ai vlerësoi stafin e Shtëpisë së Bardhë të cilët qëndrojnë në punë duke kaluar presidentët njëri pas tjetrit, por tha se për të ishte e vështirë të mësohej me shërbimet.

“Nuk e di për juve por unë jam rritur në një mënyrë ku nuk kisha asnjë që të më shërbente. Jam shumë i ndërgjegjësuar për këtë”.

Mediat amerikane thonë se Biden ka krijuar tashmë rutinën e tij të përditshme në Shtëpinë e Bardhë, me kafen e mëngjesit me Zonjën e Parë, Jill Biden, takimet e telefonatat në Zyrën Ovale nga ora 09.00 e mëngjesit, dhe kthimin në zonën rezidenciale në ora 19.00.

Dy qentë e tij, pastorët gjermanë Major e Champ, janë rrotull gjithë kohës.

Biden, katolik i devotshëm, thotë se mbyll takimet e tij me lutjen qe Zoti t’i tregojë rrugën e drejtë të udhëheqjes.

“Lutem që të kem kapacitetin për të udhëhequr vendin, për atë që ju të gjithë meritoni të bëhet”, tha ai mes te tjerash.

FOTO GALERI
1/7
Presidenti amerikan Joe Biden tha sot se ka folur me të gjithë presidentët përveç njërit

Top Channel